Presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi që Partia Republikane të marrë kontrollin e procesit zgjedhor në rreth 15 shtete, përpara zgjedhjeve të mesmandatit që pritet të mbahen në nëntor.
“Republikanët duhet të thonë se ne duam të marrim kontrollin, duhet të marrim kontrollin e votimit në të paktën rreth 15 shtete”, deklaroi Donald Trump, i pyetur nga podkasteri konservator dhe ish-zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Bongino.
“Republikanët duhet ta nacionalizojnë votimin”, këmbënguli presidenti amerikan.
Në Shtetet e Bashkuara, proceset zgjedhore menaxhohen nga shtetet dhe jo nga qeveria federale.
Zgjedhjet e mesmandatit parashikohen të jenë të vështira për shumicën republikane në Kongres, në një kohë kur operacionet e ashpra të policisë së emigracionit, që shkaktuan dy viktima në janar në Minneapolis, po kundërshtohen gjithnjë e më shumë dhe kostoja e jetesës po rëndon mbi familjet.
Si dëshmi e kësaj pakënaqësie të elektoratit ndaj Partisë Republikane, demokratët fituan të shtunën një vend senatori në një bastion republikan në Teksas. Vjeshtën e kaluar, Nju Xhersi dhe Virxhinia zgjodhën guvernatorë demokratë.
Po ashtu, një demokrat u zgjodh së fundmi kryetar bashkie i Nju Jorkut.
Donald Trump i inkurajoi shtetet republikane të ndryshojnë rishpërndarjen e hartës elektorale për të favorizuar partinë e tij.
Gjatë intervistës, presidenti Trump rikonfirmoi gjithashtu, sërish pa asnjë provë, se kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 kundër Joe Bidenit.
Javën e kaluar, FBI-ja (policia federale amerikane) kreu një kontroll në një qendër zgjedhore në Xhorxhia, në qendër të akuzave të pabazuara për mashtrim gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Donald Trump u padit në vitin 2023 nga drejtësia federale dhe ajo e shtetit të Xhorxhias për përpjekje të paligjshme për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, të fituara nga demokrati Joe Biden. Këto ndjekje penale u hoqën pas zgjedhjes së tij në vitin 2024 për një mandat të dytë.
Mitrovica përkujton 26-vjetorin e `Natës së Tmerrit` për ban...
646 kundërvajtje në trafik përmes sistemit të ri në Maqedoni...
PD-PS përplasje për `territorialen` në Kuvendin e Shqipërisë
Durmishi: Qeveria hap thirrjen për subvencionimin e transpor...
Vetura bie në humnerë në rrugën Kaçanik-Hani i Elezit, një p...
Kupa e Kosovës rikthehet me gjysmëfinalet që premtojnë spekt...