Presidenti amerikan Donald Trump u nis të shtunën drejt Azisë, ku mes të tjerash do të zhvillojë bisedime tregtare me homologun kinez Xi Jinping, ndërsa është shprehur se gjatë qëndrimit të tij në atë kontinent do të dëshironte të takohej edhe me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong Un.
Ndalesa e parë e Trump është Malajzia, ku të dielën do të marrë pjesë në samitin e Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore, një takim që gjatë mandatit të parë e pati shmangur disa herë. Në Malajzi do të nënshkruhet marrëveshje tregtare me atë vend, ndërkohë që do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së paqes mes Tajlandës dhe Kamboxhias. Pritet që gjatë punimeve të samitit të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore të takohet edhe me presidentin e Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, me të cilin prej disa muajsh ka pasur tensione.
Destinacioni tjetër i Trump do të jetë Tokio, ku do të shkojë të hënë. Të martën do të takohet me kryeministren e parë grua të atij vendi, Sanae Takaichi, për të cilën u shpreh se “kishte dëgjuar gjëra shumë të mira”.
Por më kryesorja e turit të Trump është takimi që do të ketë me presidentin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut, e para herë që dy udhëheqësit takohen qëkur Trump u rikthye në krye të Shtëpisë së Bardhë. Fillimisht Trump kërcënoi të anulonte takimin me Xi, por për gazetarët në bord të avionit presidencial Air Force One, presidenti amerikan u shpreh se shpresonte për një takim shumë të mirë me Xi, duke shtuar se priste që Kina të dakordësohej për një marrëveshje për shmangien e një tarife shtesë prej 100% ndaj mallrave kineze, që pritet të hyjë në fuqi në datën 1 nëntor.
Me Xi, Trump do të bisedojë edhe për fentanilin, dhe nga Pekini pret kufizimin e trafikimit të kësaj substance të fuqishme narkotike.
Trump gjithashtu u shpreh se gjatë qëndrimit në Gadishullin Korean mund të takohet edhe me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong Un.
“Do të takohesha. Jam i hapur për këtë takim. Kam pasur një marrëdhënie mjaft të mirë me të,” u shpreh Trump, i cili, kur u pyet nga gazetarët nëse ishte i hapur ndaj kërkesës së Koresë së Veriut që kjo e fundit të njihet si shtet bërthamor, u përgjigj se mendonte se koreano-veriorët janë “një lloj fuqi bërthamore”./rtsh
I ndalet rryma në Klinë, Bedri Hamza kërkon që më 28 dhjetor...
Durmishi: Autostrada e Gjilanit përfundon brenda një viti
Specialja s’ia lejon Salih Mustafës ta vizitojë babën, OVL: ...
Labi e akuzon Jasminën se e shtyu
Ulutash: NATO që dy vite kërkon që sulmuesit e Banjskës të s...
Qindra migrantë mbërrijnë në Kretë