htëpia e Bardhë e ka shprehur qartë kundërshtinë e administratës së Donald Trump ndaj çdo përpjekjeje të Izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor, pasi qeveria izraelite shpalli plane të reja që hapin rrugën për zgjerimin e vendbanimeve në territorin e pushtuar palestinez.
Masat, të miratuara të dielën, 8 shkurt, nga kabineti i sigurisë së Izraelit, parashikojnë që qytetarët hebrenj izraelitë të lejohen të blejnë drejtpërdrejt toka në Bregun Perëndimor, si dhe zgjerimin e kontrollit izraelit mbi zona ku aktualisht ushtron kompetenca Autoriteti Palestinez. Ende nuk është e qartë se kur do të hyjnë në fuqi këto rregulla të reja, por ato nuk kërkojnë miratim shtesë.
Të hënën, 9 shkurt, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se “një Breg Perëndimor i qëndrueshëm e mban Izraelin të sigurt dhe është në përputhje me qëllimin e kësaj administrate për të arritur paqe në rajon”, duke nënvizuar kundërshtimin ndaj aneksimit.
Aktualisht, më shumë se 500 mijë izraelitë jetojnë në vendbanime dhe poste në Bregun Perëndimor, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Në të njëjtin territor jetojnë rreth tre milionë palestinezë.
Reagimet ndërkombëtare ndaj planit kanë qenë të ashpra.
Mbretëria e Bashkuar i bëri thirrje Izraelit të tërheqë vendimin, duke e cilësuar zgjerimin e kontrollit izraelit si “tërësisht të papranueshëm” dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
“Çdo përpjekje e njëanshme për të ndryshuar përbërjen gjeografike ose demografike të Palestinës është e papranueshme”, thuhet në deklaratën britanike.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u shpreh “thellësisht i shqetësuar”, duke paralajmëruar se këto masa po “minojnë perspektivën e zgjidhjes me dy shtete”. Ai i cilësoi veprimet e Izraelit si destabilizuese dhe kujtoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vlerësuar se pushtimi i territoreve palestineze është i paligjshëm.
Një deklaratë e përbashkët e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Jordanisë, Katarit, Indonezisë, Pakistanit, Egjiptit dhe Turqisë i dënoi “me termat më të ashpër” vendimet izraelite, duke i cilësuar si masa të paligjshme për vendosjen e sovranitetit izraelit.
“Ndryshimet synojnë thellimin e rrënjëve tona në të gjitha rajonet e Tokës së Izraelit dhe varrosjen e idesë së një shteti palestinez”, ka deklaruar ministrit izraelit të Financave, Bezalel Smotrich.
Vendimet e kabinetit të sigurisë përfshijnë shfuqizimin e një ligji që daton nga periudha e kontrollit jordanez para vitit 1967, duke i bërë regjistrat e pronës publike dhe jo më konfidenciale, si dhe heqjen e kërkesës për leje nga administrata civile. Këto masa pritet ta bëjnë më të lehtë blerjen e tokave nga hebrenjtë në Bregun Perëndimor.
Gjithashtu, parashikohet që autoriteti për lejet e ndërtimit të vendbanimeve në qytetin palestinez të Hebronit, më i madhi në Bregun Perëndimor, t’i kalojë Izraelit, si dhe rritje e kontrollit izraelit mbi dy vende të rëndësishme fetare: Varri i Rahelit pranë Betlehemit dhe Shpella e Patriarkëve në Hebron.
Presidenca palestineze në Ramallah reagoi duke thënë se këto masa synojnë “thellimin e përpjekjeve për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar”.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të takohet me presidentin Trump në SHBA në një moment tensioni të shtuar diplomatik rreth së ardhmes së territorit palestinez./tvklan.al
Laws: Viktimat kanë mbështetur UÇK-në, disa kanë qenë anëtar...
Konstituimi i Kuvendit, Basha mban sot mbledhje me kryetarët...
Kryeprokurorja: Kërkojmë që të akuzuarit të japin llogari dh...
Renovimi i objektit të Ministrisë së Bujqësisë, ngritet akta...
ZPS: Selimi mori pjesë në krime, kushëririn e tij e emëroi v...
Prokurori: Shohim përfshirjen e Veselit në krimet e ngritura...