Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar zyrtarët të ftojnë presidentin rus, Vladimir Putin, në Uashington.
Në një postim në Twitter, Sanders tha se Trump ka urdhëruar këshilltarin e sigurisë kombëtare, John Bolton, ta bëjë ftesën për në vjeshtë.
Lajmi vjen pak ditë pas samitit të parë Trump-Putin që u zhvillua më 16 korrik, në Helsinki të Finlandës, e që shkaktoi zemërim në SHBA për shkak të dështimit të Trumpit për t’iu kundërvënë publikisht Putinit, për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.
Ligjvënësit amerikanë dhe zyrtarët e tjerë po ashtu nuk janë informuar ende se për çfarë kanë diskutuar Trump dhe Putin në takimin privat, me vetëm praninë e përkthyesve.
Madje, edhe drejtori i inteligjencës kombëtare i Trumpit, Dan Coats, tha se nuk e di se çfarë ka ndodhur në Helsinki.
Ftesa e planifikuar për në Uashington pritet të shihet si fitore nga Putini, i cili vizitën e fundit zyrtare në SHBA e ka realizuar në korrik të vitit 2007.
Të enjten, edhe Trump, edhe Putin e cilësuan takimin e parë të tyre si sukses, ndërsa fajësuan forcat në SHBA për përpjekje për të minuar arritjet e tyre. Pavarësisht kritikave, Trump tha se e mirëpret edhe një takim të dytë me liderin rus.
Udhëheqësi i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer, e kritikoi menjëherë ftesën e planifikuar.
“Derisa nuk dimë se çfarë ka ndodhur në atë takim dyorësh në Helsinki, presidenti nuk duhet të ketë më ndërveprime sy më sy me Putinin, as në Shtetet e Bashkuara, as në Rusi, as gjetkë”, tha Schumer.
Vizita e fundit zyrtare e një presidenti rus në Shtetet e Bashkuara është bërë në qershor të vitit 2010 nga Dmitry Medvedev, tani kryeministër i Rusisë.
Sipas kritikëve, Trumpit i është dhënë mundësi e mjaftueshme në konferencën e përbashkët të shtypit për të qortuar Putinin, lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane, porse ai ka vendosur të pranojë mohimet e Putinit përballë konstatimeve të agjencive amerikane të inteligjencës.
Trump, më pas, ka thënë se është keqinterpretuar.
56 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë
Kallas: SHBA dhe Evropa duhet të qëndrojnë të bashkuara
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit