Presidenti amerikan, Donald Trump, që përballet me fushatë për rizgjedhje dhe ndoshta edhe me hetime tjera në të ardhmen, ka festuar shfajësimin nga akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.
Pasi ka hyrë në sallë ku është pritur me duartrokitje të mëdha nga ligjvënësit republikanë, zyrtarë të administratës dhe figura të medieve konservatore në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka thënë se demokratët kanë nxitur përpjekje “të korruptuara” për të dëmtuar presidencën e tij.
“Unë kam bërë gjëra të këqija në jetën time, e pranoj… mirëpo ky është rezultati përfundimtar”, ka thënë Trump, teksa ka mbajtur një kopje të gazetës Washington Post me titull kryesor “Trump u shfajësua”.
Senati i kontrolluar nga republikanët, ka votuar të mërkurën për ta shfajësuar Trumpin, në procesin e nisur nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve.
Kjo ka qenë vetëm hera e tretë në histori që një president amerikan është përballur me një proces të tillë.
Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thënë se deklaratat e Trumpit kanë qenë “plotësisht të papërshtatshme, sidomos gjatë Lutjeve të Mëngjesit”.
Përgjatë kësaj ceremonie, Trump ka akuzuar “disa njerëz shumë të pasinqertë dhe të korruptuar”, që kanë kërkuar ta largojnë atë përmes procesit që e ka konsideruar “mashtrim”.
Në gjyqin kundër tij, 52 ligjvënës kanë votuar për ta liruar atë nga akuza për abuzim të pushtetit, derisa 48 kanë thënë se ai është fajtor.
Senatori, Mitt Romney ka qenë republikani i vetëm që ka votuar kundër Trumpit.
Pas votimit, Trump ka akuzuar Romneyn se është “aset i fshehtë” i Partisë Demokratike, që vetëm pretendon se është republikan.
Në votimin për akuzën e dytë, për pengim të punës së Kongresit, 53 ligjvënës kanë votuar për të shpallur presidentin të pafajshëm derisa 47 e kanë konsideruar atë fajtor, shkruan REL.
Akuzat janë ngritur pas dyshimeve se presidenti i 45-të i SHBA-së ka kushtëzuar ndihmën ushtarake në vlerë të miliona dollarëve për Ukrainën, në këmbim të nisjes së hetimeve për rivalin e tij politik, demokratin, Joe Biden.
Demokratët kanë akuzuar Trumpin se përveç ndihmës ushtarake, ai ka kushtëzuar me hetime edhe një vizitë në Shtëpinë e Bardhë të homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, derisa Ukraina të bënte publik lajmin për nisje të hetimeve.
Trump nga fillimi ka mohuar çdo keqbërje në marrëveshjet e tij me Ukrainën.
Programi europian për bashkitë, Rama: Investim strategjik pë...
Zjarr i madh në një servis në Pejë – digjen disa automjete, ...
Lladrovci me mesazh të fortë ndaj PDK-së: Nuk pranoj të bëhe...
Qeveria e kryeministrit Radev merr votëbesimin nga parlament...
Një burrë gjendet pa shenja jete në Suharekë, rasti po hetoh...
Rooney shpërthen ndaj Tuchel: Lënia jashtë e Arnold është e ...