Tragjedi në ditën e Pashkës – pema rrëzohet nga era e fortë, tre persona humbin jetën

22:28 | 5 Prill 2026
E.G

Tre persona, mes tyre një nënë dhe foshnja e saj, humbën jetën tragjikisht të dielën e Pashkës pasi një pemë u rrëzua mbi një grup njerëzish që po kërkonin vezë në një pyll pranë Flensburgut, në veri të Gjermanisë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 në zonën Mittelangeln, ku për shkak të erërave të forta një pemë rreth 30 metra e lartë u rrëzua mbi ta.

Katër persona mbetën të bllokuar nën pemë. Në vendngjarje humbën jetën një 16-vjeçare dhe një 21-vjeçare, ndërsa vajza 10-muajshe e kësaj të fundit u dërgua me helikopter në spital, ku më vonë ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda.

Një tjetër vajzë 18-vjeçare mbeti e plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa disa persona të tjerë pësuan lëndime të lehta. Sipas policisë, në momentin e ngjarjes në pyll ndodheshin rreth 50 persona.

Autoritetet dyshojnë se rrëzimi i pemës është shkaktuar nga kushtet e vështira atmosferike dhe erërat e forta, por hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë vijojnë.

Në vendngjarje ndërhynë dhjetëra forca shpëtimi, përfshirë zjarrfikës, policinë dhe një helikopter, ndërsa të pranishmëve iu ofrua ndihmë psikologjike.

Sipas mediave, mbi 80 efektivë morën pjesë në operacionin e emergjencës. Institucioni që kishte organizuar aktivitetin e përshkroi ngjarjen si një tragjedi të rëndë që tronditi komunitetin, ndërsa autoritetet gjermane shprehën ngushëllime për familjet e viktimave.

Shpërndaje në rrjete sociale