Të paktën 24 të vrarë pas sulmit ukrainas në rajonin e pushtuar në Kherson

20:45 | 1 Janar 2026
E.G

Forcat pushtuese ruse thanë sot se mbi 24 persona u vranë gjatë një sulmi ukrainas me dron që goditi fshatin Khorly në Detin e Zi, në festën e Vitit të Ri.

Guvernatori në detyrë i rajonit të aneksuar – rajonit jugor ukrainas të Khersonit – që nga 4 tetori 2022, Vladimir Saldo tha se tre dronë ukrainas kishin goditur një kafene në Khorly ndërsa njerëzit po festonin vitin e ri.

Fillimisht, pati raportime për 24 të vdekur, por më vonë u tha se numri i të vrarëve mund të jetë më i lartë.

Imazhet dhe videot që qarkullojnë në media sociale treguan një restorant të djegur në Khorly, një vendpushim i vendosur në një gadishull të vogël që del në Detin e Zi, rreth 70 kilometra nga kryeqyteti rajonal, Kherson.

Saldo tha se midis të vrarëve ishte edhe një fëmijë – duke vënë në dyshim gatishmërinë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia gati katër vjet më parë.

Pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës të nisur më 24 shkurt 2022, Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme rajonin e Khersonit, së bashku me Zaporizhian, Donetskun dhe Luhanskun, edhe pse nuk kontrollon plotësisht asnjë nga këto rajone.

Kontrolli i Khersonit është i ndarë përgjatë lumit Dnipro – me forcat ruse që pushtojnë jugun e rajonit, përfshirë bregdetin e Detit të Zi.

Ministria e Jashtme ruse, Kisha Ortodokse Ruse dhe ligjvënësit rusë shprehën zemërim, ndërsa prokurorët rusë kanë nisur procedurat për terrorizëm

Kievi ende nuk ka komentuar mbi akuzat. Kanali pro-ukrainas i Telegram “Exilenova” tha se kishte pasur sulme të ngjashme në të kaluarën kur forcat pushtuese mblidheshin për festa.

Shpërndaje në rrjete sociale