Takimi i Parisit për Ukrainën, Kievi merr mbështetje nga SHBA dhe BE për garanci sigurie në rast armëpushimi

14:37 | 7 Janar 2026
E.K

Ukraina mirëpriti garancitë e sigurisë të paraqitura nga aleatët e Kievit, të cilat do të hyjnë në fuqi nëse arrihet një armëpushim i plotë në luftën kundër forcave ruse.

“Kur diplomacia të ketë sukses në përfundimin e luftës, ne do të jemi plotësisht të gatshëm të vendosim forcat e Koalicionit të të Vullnetshmëve”- tha presidenti Zelensky, pasi nënshkroi një deklaratë me Presidentin francez dhe Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas atij dokumenti Britania, Franca dhe aleatët e tjerë evropianë do të vendosin trupa në Ukrainë pas arritjes së armëpushimit. Pas bisedimeve në Paris, kryeministri britanik Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të krijojnë qendra ushtarake në të gjithë Ukrainën për të penguar pushtimin e ardhshëm rus, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron beri me dije se u ra dakord për garanci të forta sigurie në rast të një armëpushimi të mundshëm.

Aleatët e Kievit propozuan që SHBA-të të merrnin drejtimin në monitorimin e armëpushimit pasi të arrihet. Pas atij takimi, Zelensky theksoi se çështja më e madhe që ende ka nevojë për zgjidhje është çështja e territorit.

Kryenegociatori amerikan Steve Witkoff u shpreh se garancitë e qëndrueshme të sigurisë dhe angazhimet e forta për prosperitet janë thelbësore për një paqe të qëndrueshme në Ukrainë duke iu referuar një kërkese kyçe të bërë nga Kievi.

“Aleatët e përfunduan kryesisht punën e tyre për të rënë dakord për protokollet e sigurisë në mënyrë që populli i Ukrainës të dijë se kur kjo luftë të mbarojë, ajo do të mbarojë përgjithmonë.”-tha Witkoff.

Jared Kushner, i dërguari special dhe dhëndri i Presidentit Trump tha se pas një marrëveshjeje të mundshme, ukrainasit duhej të dinin se ishin vendosur masa të vërteta mbrojtëse për të siguruar që lufta nuk do të ndodhte përsëri.