Siria ka thënë të hënën se Izraeli i ka dërguar 60 ushtarë për të marrë kontrollin e një zone brenda kufirit sirian, afër malit Hermon, në një operacion që ia ka shkelur sovranitetin dhe përbën kërcënim të mëtejmë për sigurinë rajonale.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë se trupat kanë kryer aktivitet rutinor në një zonë në jug të Sirisë, mirëpo nuk kanë operuar në Beit Jin, zonë e afërt me kufirin me Libanin dhe afër malit Hermon.
Ky incident vjen teksa dy shtetet janë të angazhuara në bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për ulje tensionesh në jug të Sirisë.
Damasku shpreson në arritjen e një marrëveshjeje për siguri, e cila më pas mund të hapte rrugën për bisedime më të gjera politike.
Ministria siriane ka thënë se incidenti i së hënës ka ndodhur në majën strategjike në drejtim të Beit Jinit. Sipas banorëve të zonës, Izraeli i ka arrestuar edhe gjashtë sirianë atje.
Ushtria izraelite ka thënë se nuk ka kryer arrestime në jug të Sirisë, mirëpo e ka ndaluar një person për ta marrë në pyetje, pasi janë identifikuar disa persona në atë zonë që ushtria i ka parë si rrezik.
Kjo zonë është e njohur për kontrabandim armësh nga grupi i Libanit, Hezbollah dhe fraksione tjera xhihadiste.
Hezbollahu, grup i afërt me Iranin, është i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.
Izraeli i ka përmendur shqetësimet për sigurinë teksa i ka kryer disa intervenime ushtarake brenda Sirisë prej rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor, përfshirë atë që e sheh si obligim për t’i mbrojtur pjesëtarët e pakicës druze në jug të Sirisë.
Qindra persona janë raportuar të vrarë në përleshjet e muajit të kaluar në provincën jugore Sveida mes luftëtarëve druzë – fis beduin sunit – dhe forcave qeveritare.
Izraeli ka intervenuar me sulme ajrore për t’i parandaluar ato që i ka konsideruar vrasje masive të druzëve nga forcat qeveritare siriane.
Në janar, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se trupat izraelite do të mbeten në malin Hermon përgjithmonë.
Prej atëherë, Izraeli e ka formuar një zonë de facto të sigurisë. Aty i ka patrullat e veta, dhe kryen kërkime dhe bastitje nëpër fshatra./rel
Sulmohen dy zyrtarë të Ekonomisë Pyjore në Han të Elezit, ka...
Vidhet një veturë nga servisi në Komoran, policia po heton r...
Policia gjen substanca narkotike në Qendrën Korrektuese të D...
Mundësi “shumë të mëdha” për sulme amerikane ndaj Iranit
Nga Knesset te Konferenca kundër Antisemitizmit, Rama përfun...
Horoskopi 27 janar 2026, zbuloni parashikimin e yjeve për sh...