Fitorja historike e liderit opozitar, Peter Magyar në zgjedhjet e mbajtura të dielën në Hungari, shihet si mundësi për rindërtim të lidhjeve të vendit me Bashkimin Evropian, si dhe qasje të re kufizuese ndaj Moskës.
Ai e ka fituar garën ndaj kryeministrit të deritanishëm, Viktor Orban, i cili konsiderohet aleati më i ngushtë i presidentit amerikan, Donald Trump në Evropë.
Pas numërimit të pothuajse të gjitha votave, partia Tisza e Magyarit i ka fituar 53.6 për qind të votave, në krahasim me 37.8 për qind për Fideszin e Orbanit, sipas Komitetit të Zgjedhjeve në Hungari.
Sipas kalkulimeve preliminare, Tisza do t’i ketë 138 ulëse në Parlamentin me 199 sosh, të mjaftueshme për të bërë ndryshime kushtetuese.
“Hungarezët e mi të dashur, ia dolëm”, u ka thënë Magyar mbështetësve të tij në Budapest.
Ai ka deklaruar se udhëtimin e tij të parë do ta bëjë në Varshavë, ku gëzon mbështetje të madhe prej kryeministrit polak, Donald Tusk.
“Sërish të bashkuar! Fitore e lavdishme, miq të dashur!”, ka shkruar Tusk në X, duke shtuar në gjuhën hungareze: “Rusë, shkoni në shtëpi!”.
Magyar ka thënë se më pas do të shkojë “në Vjenë dhe në Bruksel për t’i zhbllokuar fondet e Bashkimit Evropian”.
Rezultati i zgjedhjeve është vëzhguar nga afër në Bruksel, Kiev, Moskë dhe Uashington.
Presidenti Trump nuk u është përgjigjur pyetjeve për Orbanin, pas kthimit në Uashington më 12 prill.
Reagimet nga Kosova dhe rajoni
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar Magyarin për fitoren dhe ka thënë se Kosova e mirëpret mbështetjen e popullit hungarez për vlerat e Bashkimit Evropian dhe mezi pret që dy palët të punojnë së bashku.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – bashkëpunëtor i afërt i Orbanit – e ka uruar Magyarin dhe ka thënë se beson në vazhdimin e bashkëpunimit të mirë mes Hungarisë dhe Serbisë, dhe që është mirënjohës që Viktor Orbani i ka bërë të mundshme këto lidhje.
Ministria e Jashtme e Bosnje-Hercegovinës ka thënë se mezi pret që të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Bosnjës dhe Hungarisë, të bazuara në respekt të ndërsjellë, partneritet të sinqertë dhe vlera të përbashkëta evropiane.
Lëvizje kundër trendit autoritar
Diplomati veteran amerikan, Daniel Fried e ka përshkruar fitoren e Magyarit në Hungari si diçka “shumë të madhe”, dhe ka thënë se diçka e tillë sinjalizon qasje kundër trendit autoritar në Evropë dhe përtej.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë më 12 prill, Fried – i cili ka shërbyer në role të rëndësishme të sigurisë kombëtare në shtatë administrata amerikane, dhe tani është hulumtues i lartë në Këshillin Atlantik – ka thënë se është befasuar nga shpejtësia dhe përqindja e rezultatit.
“Jam i befasuar që e dimë rezultatin kaq shpejt”, ka thënë ai.
“Fakti që Viktor Orbani është mposhtur tregon se ky është lloji i fitores që e ka synuar opozita dhe për të cilën janë lutur hungarezët pro demokracisë, por që askush nuk e ka pritur derisa ndodhi”.
Marrëdhënia e tensionuar e Hungarisë me disa vende të BE-së, nënkupton që anëtarët e bllokut evropian e kanë shikuar me vëmendje rezultatin e zgjedhjeve, ashtu sikurse Uashingtoni dhe Moska, meqë dy vendet kanë lidhje të ngushta me Orbanin, i cili ka qenë në pushtet në 16 vjetët e fundit.
“Hungaria e ka zgjedhur Evropën. Evropa e ka zgjedhur gjithmonë Hungarinë. Shteti i është kthyer rrugës evropiane”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas humbjes së Orbanit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka uruar Magyarin për “fitoren bindëse” dhe ka thënë përmes një postimi në Telegram se “është e rëndësishme kur fiton qasja konstruktive”.
Duke qenë anëtare e BE-së, Qeveria hungareze, në krye me Orbanin, ka arritur t’i bllokojë disa pako sanksionesh kundër Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë më 2022, si dhe e ka bllokuar me raste edhe mbështetjen financiare të bllokut evropian për Kievin.
Së fundmi, ai e ka bllokuar një kredi prej 90 miliardë eurosh për Kievin për periudhën 2026-2027, ndonëse për të patën arritur pajtueshmëri liderët tjerë në dhjetor të vitit 2025.
Presidenti francez, Emmanuel Macron e ka uruar Magyarin për fitoren e tij, duke thënë se “Franca përshëndet fitoren e pjesëmarrjes demokratike, lidhjen e popullit hungarez me vlerat e Bashkimit Evropian dhe për Hungarinë në Evropë”.
“Së bashku, le të avancojmë për një Evropë më sovrane, për siguri në kontinentin tonë, dhe për demokracinë”.
Fokusi primar i Magyarit në fushatën zgjedhore ka qenë te çështjet e brendshme, sidomos në fushatën kundër korrupsionit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në tetor të vitit 2025, ai ka sinjalizuar që do të ketë kujdes sa i përket politikës së jashtme.
Sipas tij, Hungaria nuk do të mund t’i ndalojë shpejt importet e naftës së papërpunuar nga Rusia, pavarësisht presionit të BE-së që Hungaria dhe Sllovakia fqinje të jenë në linjë me hapat e ndërmarrë nga vendet tjera anëtare për t’i ndërprerë të gjitha lidhjet energjetike me Moskën deri në vitin 2027.
Aktualisht, Hungaria importon prej Rusisë rreth 95 për qind të gazit natyror që i duhet, derisa në gjysmën e parë të vitit 2025, rreth 92 për qind të importeve të naftës i ka siguruar nga po ky vend./rel
Gucati: Synojmë mbi 200 mijë nënshkrime për ish-krerët e UÇK...
Vdes një 59-vjeçar në Ferizaj, bie nga kati i gjashtë i një ...
Konjufca merr pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare në Tira...
Istog: I mituri nuk ndalet pas urdhërit, policia arrin ta ka...
Presidenti Thaçi për FAZ: “Si qytetar i lirë i Kosovës, do t...
Rogerti betohet në kryq, kërcënon Mateon: U bëj thirrje shok...