Partia në pushtet në Gjermani, CDU e anuloi kongresin e planifikuar për më 4 dhjetor në Shtutgart.
Arsyeja janë zhvillimet rreth krizës së Covid-19. Kufizimet aktuale gjithsesi nuk do ta kishin lejuar një aktivitet me 1.000 vetë në dhjetor. Sipas një vendimi të organeve të CDU-së, kongresi i partisë me 1001 delegatët e tij duhet të zhvillohet zhvillohet në vitin e ardhshëm, më e mira me prani fizike të delegatëve.
Sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Ziemiak tha se megjithëse kishte pajtim që një kongres i partisë me prani fizike do të ishte aktualisht opsioni më i mirë për zgjedhjen e ekzekutivit të ri të partisë, kjo nuk do të ishte e justifikueshme në pandeminë që po kalojmë. Prandaj, në mbledhjen me dyer të mbyllura të kryesisë së CDU-së në mes të janarit, do të vendoset nëse do të jetë i mundur një aktivitet i tillë.
Një kongres digjital i partisë, që të pasohet nga një votim me postë, është gjithashtu i mundur. Kryetarja në detyrë e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer e njoftoi dorëheqjen e saj nga posti në shkurt. Zgjedhja e pasardhësit të saj ishte planifikuar për në muajin prill të këtij viti. Por ajo u shty për shkak të pandemisë Corona. Kryeministri i Renanisë-Veriore-Vestfalisë, Armin Laschet, politikani Norbert Röttgen dhe ish-kryetari i Grupit Parlamentar unionist, Friedrich Merz po kandidojnë për t’u bërë pasardhës të Kramp-Karrenbauerit.
Kandidati me mbështetje më të madhe për kryesimin e CDU-së, sipas sondazheve në bazë, Friedrich Merz, shprehu kritika të ashpra për shtyrjen e kongresit.
Radios bavareze Bayerischer Rundfunk Merz i shprehu madje dyshimin se “pjesë të konsiderueshme të establishmentit të CDU-së” donin të parandalonin zgjedhjen e tij si kryetar partie. Merz tha që nëse nuk ishte e mundur një aktivitet me prani fizike në dhjetor, atëherë CDU-ja duhej të mbante një “kongres digjital të partisë”.
Konkurrenti i tij i brendshëm i partisë, Laschet ishte në favor të shtyrjes. Kurse kandidati i tretë, Röttgen, kishte thënë se do të respektonte vendimin e organeve.
Delegatët duhet të zgjedhin jo vetëm një pasardhës për Kramp-Karrenbauerin, por në dhjetor, sipas radhës, duhet të zgjidhej e gjithë udhëheqja e partisë – kjo do të ndodhte në një kongres të shtyrë të partisë. Një votë me postë për udhëheqjen së partisë nga delegatët, e cila u diskutua gjithashtu si variant në kryesinë e partisë, është një ndërmarrje e vështirë, për shkak të numrit të madh të raundeve të votimit, që kërkohen për zgjedhjen e kryesisë.
Kramp-Karrenbauer i bëri thirrje udhëheqjes së CDU-së dhe kandidatëve të tregojnë unitet. Më e rëndësishmja tani është që Gjermania të mbajë nën kontroll pandeminë, tha ajo.
Në vitin 2021, në gjashtë lande federale do të zgjidhen parlamente të reja rajonale, fillimisht në Baden-Vyrttemberg dhe Rajnland-Pfalc, në 14 Mars. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
aud (faz, ndr, br)
Orav: Asociacioni mbetet obligim, kërkohen qasje të reja në ...
Orav sinjalizon se BE mund të kërkojë rrugë tjera për zbatim...
Sorensen thotë se ka arritur të sigurojë harmonizim me SHBA’...
Kosova U21 publikon listën për ndeshjet e marsit
Bordi i Paqes dorëzon propozimin për çarmatosjen e Hamasit
Rama: Historia do mbajë mend vetëm një emër, Partinë Sociali...