Shqyrtohet pezullimi i paketës 1.6 miliard euro për Serbinë

21:06 | 13 Shkurt 2026
Q L

Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e pezullimit të një pakete kredish dhe grantesh për Serbinë në vlerë prej 1.6 miliardë euro Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e pezullimit të një pakete kredish dhe grantesh për Serbinë në vlerë prej 1.6 miliardë euro, për shkak të ndryshimeve të diskutueshme në ligjet për drejtësinë, deklaroi komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.

Në Bruksel vlerësohet se këto ligje cenojnë besimin në përkushtimin e Beogradit ndaj sundimit të ligjit. BE-ja thekson se miratimi i këtyre ligjeve minon pavarësinë e gjyqësorit, një element kyç për përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit. Kritikat lidhen me reformën që centralizon pushtetin gjyqësor dhe dobëson luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Opozita proevropiane kundërshtoi ligjet dhe paraqiti kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tyre.

“Nuk ka përparim në integrimet evropiane pa përparim në sundimin e ligjit. Këto ligje paraqesin kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit”, tha Robert Kozma, deputet i Frontit të Gjelbër-Majtas.

“Ne po simulojmë një proces, ndërsa Evropa e ka kuptuar se nuk ka përparim”, tha Sllobodan Cvejiq, deputet i partisë “Serbia Qendër” .

Ligjet u miratuan me procedurë urgjente, pavarësisht kritikave nga Brukseli dhe ekspertët. Pas reagimeve negative, Serbia ka kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias, ndërsa BE pret që çdo ndryshim i mundshëm të realizohet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Ndërkohë, nga Brukseli paralajmërohet rishqyrtimi i financimit për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Opozita ka akuzuar pushtetin për keqpërdorim të fondeve evropiane, duke kërkuar kushtëzimin e tyre me reforma konkrete dhe vendosjen e sanksioneve personale ndaj drejtuesve të lartë.