Shpërthen cisterna e karburantit, të paktën 80 persona të vdekur

12:01 | 6 Nëntor 2021
Arditë Shkodra

Të paktën 84 persona kanë vdekur pas një shpërthimi masiv kur një cisternë karburanti u përplas me një kamion në kryeqytetin e Sierra Leones, Freetown.

Karburanti u derdh përpara se të ndizej dhe zjarri që rezultoi përfshiu kalimtarët dhe automjetet në një kryqëzim të ngarkuar, transmeton arbresh.info

Pamjet e transmetuara nga mediat lokale treguan trupa të djegur keq në rrugët përreth cisternës.

Presidenti Julius Maada Bio tha se ai ishte “thellësisht i shqetësuar nga zjarret tragjike dhe humbjet e tmerrshme të jetës”.

Në një postim në Twitter, ai tha se qeveria e tij do të bënte “gjithçka për të mbështetur familjet e prekura”.

Kryebashkiaku i Freetown-it, Yvonne Aki-Sawyerr, përshkroi se kishte parë fotografi “të frikshme” dhe tha se kishte “thashetheme se më shumë se 100 njerëz kanë humbur jetën”.

Morgu shtetëror raportohet se ka marrë më shumë se 90 trupa dhe rreth 100 njerëz po trajtohen në spitale dhe qendra shëndetësore rreth Freetown.

Shpërthimi besohet të ketë ndodhur në një kryqëzim jashtë supermarketit të ngarkuar Choithram në rajonin Wellington të qytetit rreth orës 22:00 të premten.

Një raport tha se një autobus plot me njerëz ishte djegur plotësisht, ndërsa dyqanet dhe tezgat e tregut aty pranë u kapën nga flakët.

Brima Bureh Sesay, kreu i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive në Sierre Leone, tha për mediat lokale se incidenti kishte qenë “një aksident i tmerrshëm”.

Qyteti port, i cili është shtëpia e pak më shumë se një milion njerëzve, është përballur me disa fatkeqësi serioze vitet e fundit.

Në mars, më shumë se 80 njerëz u plagosën pas një zjarri të madh në një nga lagjet e varfëra të qytetit që la më shumë se 5,000 njerëz të zhvendosur.

Dhe në vitin 2017 mbi 1,000 njerëz vdiqën pasi shirat e dendur çuan në një rrëshqitje balte që përfshiu qytetin, duke lënë rreth 3,000 njerëz të pastrehë.