Shkon në 362 numri i të vdekurve nga koronavirusi

08:20 | 3 Shkurt 2020
A Z

Ka shkuar në 362 numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi. Ndërkohë tregjet kineze të aksioneve pësuan rënie të madhe të hënën për shkak të frikës nga përhapja e mëtejme e virusit të rrezikshëm.

Tregjet shënuan rënie me rastin e hapjes së sezonit të ri që nga 23 janari, kur kishin vdekur vetëm 23 persona nga koronavirusi. Prej asaj kohe, ky virus është shpallur emergjencë globale dhe është përhapur në dhjetëra shtete të tjera.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 57 persona vdiqën nga koronavirusi në Kinë, bëri të ditur Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë. Edhe numri i personave të infektuar u rrit për 2829, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 17 mijë e 205.

Qeveria kineze premtoi se do të ofrojë ndihmë për prodhuesit e produkteve jetike që ta vazhdojnë punën sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që populli të mos ketë krizë të ushqimit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Në anën tjetër, së paku 171 raste të tjera të infektimeve janë raportuar në shtete të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Tajlandën dhe Britaninë e Madhe.

Autoritetet kineze e hapën spitalin që u ndërtua për vetëm tetë ditë, ku do të trajtohen njerëzit e infektuar me virusin e rrezikshëm, njoftuan mediet shtetërore.

Australia i evakuoi 243 persona nga provinca Wuhan të hënën dhe të gjithë do të vendosen në karantinë në një ishull të largët në Oqeanin Indian.

Shpërndaje në rrjete sociale