Shefja e BE-së: Blloku evropian po merret me “pandeminë e të pa vaksinuarve”

22:33 | 23 Nëntor 2021
A Z

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) po merret me një “pandemi të të pa vaksinuarve”.

Duke folur në Parlamentin Evropian në Strasburg, von der Leyen theksoi rëndësinë e vaksinimit kundër virusit COVID-19 mes numrit në rritje të infeksioneve në BE.

“Nëse shohim nivelin e shtrimit në spital dhe të vdekshmërisë, atëherë kemi të bëjmë kryesisht me një pandemi të të pa vaksinuarve”, tha von der Leyen, duke shtuar se prioritet kyç i bllokut është dhe mbetet të ecë para me vaksinimin.

Ajo theksoi se personat e vaksinuar kanë më pak gjasa të sëmuren rëndë ose të vdesin nga COVID-19, ndërsa në shumicën e vendeve, siç tha ajo, shtretërit e kujdesit intensiv janë të zënë kryesisht nga pacientë që nuk janë vaksinuar ose janë pjesërisht të vaksinuar.

“Masat e vaksinimit dhe higjienës janë një akt solidariteti dhe ato shpëtojnë jetë”, tha von der Leyen, duke shtuar se javën e kaluar 1.600 persona vdesin çdo ditë në të gjithë BE-në për shkak të pandemisë COVID-19.

Shefja e BE-së po ashtu u bëri thirrje vendimmarrësve që të edukojnë dhe informojnë njerëzit pasi ka pabarazi të mëdha në normat e vaksinimit në vendet anëtare të BE-së.

Sipas statistikave të Komisioni Evropian të publikuar sot, shkalla më e lartë e vaksinimit lidhet drejtpërdrejtë me shkallën më të ulët të vdekjeve në vendet e BE-së.

Në Bullgari dhe Rumani, vende të cilat kanë shkallën më të ulët të vaksinimit midis vendeve anëtare të BE-së me 29 për qind dhe 43 për qind të popullsisë së rritur të vaksinuar plotësisht, në muajin nëntor janë regjistruar përkatësisht 325 dhe 267 vdekje në 1 milion banorë.

Në të kundërtën, Irlanda dhe Portugalia me normat më të larta të vaksinimit, përkatësisht 93 për qind dhe 92 për qind, u regjistruan vetëm 15 dhe 10 vdekje në 1 milion banor, transmeton Anadolu.