Në shkurt 2018, Departamenti amerikan i Drejtësisë paditi Agjencinë e Kërkimit në Internet dhe dy kompani të tjera të kontrolluara nga Prigozhin – Concord Management dhe Concord Catering – si dhe vetë pronarin Prigozhin dhe 15 individë të tjerë rusë për mashtrim të dyshuar “me qëllimin e ndërhyrjes në proceset politike dhe zgjedhore në SHBA, përfshirë zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.”
Prigozhin, i cili nganjëherë quhet “kuzhinier i Putinit” për shkak të biznesit të tij të hotelerisë, kontrollon edhe firmën private të sigurisë Vagner, e cila ka dërguar mercenarë rusë për të luftuar në Ukrainë, Siri dhe në disa vende afrikane.
Në vitin 2016, Uashingtoni vendosi sanksione personale ndaj Prigozhin në lidhje me mbështetjen e tij për aneksimin nga Moska në vitin 2014 të rajonit ukrainas të Krimesë. Në qershor 2017, sanksione u vendosën edhe mbi firmën Concord Management për përfshirjen e saj të dyshuar në luftën e mbështetur nga Rusia në disa pjesë të Ukrainës lindore.
Deklarata e Departamentit të Thesarit e datës 30 shtator, thekson se aktivitetet e Prigozhin dhe Agjencisë së Kërkimit në Internet nuk e rrezikuan legjitimitetin e zgjedhjeve të vitit 2018.
Sanksionet e reja përfshijnë tre persona juridikë të regjistruar në Seychelles dhe gjashtë shtetas rusë që besohet të kenë lidhje me Agjencinë e Kërkimit në Internet.
Deklarata e Departamentit të Thesarit identifikoi tre avionë privatë dhe një jaht si të regjistruar në subjektet e lidhura me Prigozhin. Deklarata paralajmëron se kompanitë që ofrojnë shërbime për ta mund të jenë objekt sanksionesh.
Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha në një deklaratë se “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë gurthemeli i demokracisë amerikane, dhe ne do t’i përdorim autoritetet tona kundër kujtdo që kërkon të minojë proceset tona dhe të ndikojë mbi votuesit me mënyra subversioni”./voa/
Policia: Siguria për ndeshjen sipas standardeve të UEFA-s
FFK me dhuratë të veçantë për tre baballarët e rinj ‘Dardanë...
Kurti në 27-vjetorin e masakrës së Pastaselit: 106 civilë u ...
Mbreti Charles takim me Trump, vizitë historike në fund të p...
Krasniqi: Komunat janë vendi ku shteti takohet me qytetarin
Ndeshja historike Kosovë-Turqi, Endrit Thaçi ndan foton emoc...