Republikanët në Shtetet e Bashkuara kanë propozuar në Senat një paketë të re të ndihmës për koronavirus në vlerë të 1 trilion dollarëve, ashtu që t’iu ndihmojnë amerikanëve të përballojnë papunësinë dhe pasojat tjera që ka shkaktuar pandemia me koronavirus.
Lideri i shumicës në Senat, republikani, Mitch McConnell, e ka cilësuar propozimin plan “të shënjestruar”, i cili synon të kthejë njerëzit në punë, si dhe të hapë shkollat.
“Ne jemi me një këmbë në pandemi dhe me një tjetër në rimëkëmbje”, ka thënë McConnell.
“Popullit amerikan i duhet më shumë ndihmë. Ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe duhet të jetë e përshtatshme në këtë udhëkryq”.
Republikanët janë konsultuar edhe me Shtëpinë e Bardhë për këtë plan dhe tani synojnë të arrijnë kompromis me demokratët.
Ligjvënësit janë nën presion për t’iu përgjigjur miliona amerikanëve të shqetësuar, të cilëve më 31 korrik iu skadon mundësia e marrjes së përfitimeve nga qeveria federale.
Plani i ri synon të ulë këto përfitime nga 600 në 200 dollarë në javë.
Demokratët kanë kritikuar menjëherë planin, duke e cilësuar si shumë të kufizuar dhe larg propozimit prej 3 trilionë dollarëve, që është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në muajin maj.
Këtë të fundit, Senati i kontrolluar nga republikanët, ka refuzuar që ta shqyrtojë.
Qeveria amerikane deri më tani ka shpenzuar 3.7 trilionë dollarë për mbrojtje të ekonomisë së dëmtuar si pasojë e mbylljes së bizneseve dhe urdhrave për qëndrim në shtëpi, me qëllim të luftimit të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri. /REL
Dy shtetas të Kosovës lëndohen nga rrëzimi i avionit në Maqe...
Kosova mëson kundërshtarët për kualifikimet e Botërorit 2028...
Gjermania e akuzon Rusinë për ndërhyrje në zgjedhje dhe sulm...
Ndalohet autobusi në Vërmicë, i gjenden mallra të padeklarua...
Raportohet se mund të ketë ngritje të faturave të ujit, ARRU...
Zhduket një grua në Lëbushë të Deçanit, intervistohen pesë p...