SHBA, nisin hetimet ndaj ish-këshilltarit special Jack Smith

23:01 | 2 Gusht 2025
Q L

Zyrtarët federalë amerikanë kanë hapur një hetim ndaj ish-këshilltarit special Jack Smith, i cili drejtoi dy çështje penale federale kundër presidentit Donald Trump përpara se të jepte dorëheqjen nga posti i tij në fillim të këtij viti.

Zyra e Këshillit Special (OSC) konfirmoi se një hetim ndaj Smith është duke u zhvilluar, por nuk pranoi të shtojë detaje të mëtejshme.

Bëhet e ditur se Smith u emërua si këshilltar special në vitin 2022 për të hetuar keqpërdorimin e dyshuar të dokumenteve të klasifikuara nga Trump dhe përpjekjen e tij të dyshuar për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2020.

OSC nuk ka autoritet për të ngritur akuza penale kundër Smith, por mund të fillojë veprime disiplinore ose t’ia referojë gjetjet e saj Departamentit të Drejtësisë.

Si një agjenci federale e pavarur, funksioni kryesor i OSC-së është të hetojë dhe adresojë shkeljet e rregullave federale nga anëtarët e shërbimit civil të SHBA-së, shkruan BBC.

Ajo vepron veçmas nga zyrat e këshilltarëve të posaçëm nën Departamentin e Drejtësisë – si ajo e drejtuar më parë nga Smith – e cila, ndryshe nga OSC, mund të ngrejë akuza penale federale nën Departamentin e Drejtësisë.

Tani OSC po heton Smith për shkelje të dyshuara të Aktit Hatch, një ligj që ndalon aktivitetet politike nga zyrtarët qeveritarë.

Kjo vjen pasi Tom Cotton, një senator republikan nga Arkansas, i bëri thirrje OSC-së të hetojë Smith për “ndërhyrje të paparë në zgjedhjet e vitit 2024”.

Smith u caktua nga ish-Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland në nëntor 2022 për të mbikëqyrur hetimet federale ndaj Trumpit.