Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se dhjetë persona, përfshirë një vajzë 11-vjeçare u plagosën, përderisa mbrojtja ajrore ukrainase zmbrapsi një sulm masiv me raketa ndaj kryeqytetit ukrainas mëngjesin e 21 marsit.
Ndaras, Forcat Ajrore ukrainase thanë përmes një postimi në Telegram se sistemet e mbrojtjes ajrore mëngjesin e 21 marsit rrëzuan 31 raketa ruse që po shënjestronin Kievin.
“Armiku sulmoi Kievin me dy raketa balistike të llojit Iskander-M dhe me 29 raketa lundruese të llojit Kh-101”, u tha në njoftim.
“Të gjitha raketat e armikut u rrëzuan në rajonin e Kievit”, thanë Forcat Ajrore ukrainase.
Klitschko tha se dy prej të plagosurve në kryeqytetin ukrainas janë hospitalizuar, ndërkaq të tjerët kanë marrë ndihmën e nevojshme në vendin e ngjarjes.
Autoritetet e qytetit raportuan për shkatërrime në disa qarqe të Kievit si rezultat e copëzave të raketave të shkatërruara që ranë. Veçmas, sipas autoriteteve në Kiev, është dëmtuar një ndërtesë banimi në qarkun Shevçenik, e cila u përfshi nga zjarri. Banorët e këtij qarku janë evakuuar, thanë zyrtarët.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Kievi së fundi po përballet me mungesë të municioneve dhe armëve të avancuara, përderisa po vazhdon t’iu bëjë thirrje aleatëve që t’i dërgojnë më shumë ndihma ushtarake me qëllim që të përballet me forcat ruse./rel
Rama mesazh urimi për fundvit: Rruga drejt BE-së është e pak...
“Gati për festë”, me një fotografi familjare Osmani uron qyt...
Haradinaj: Faleminderit për urimet tuaja e gëzuar për të gji...
Aksident hekurudhor në Peru, humb jetën një person dhe 40 të...
Kurti uron Vitin e Ri: Ju siguroj një vit të ri të sigurt dh...
Detaje nga aktakuza kundër 21 personave për Masakrën e Reçak...