Rusia prezanton avionin e ri luftarak

15:10 | 21 Korrik 2021

Rusia ka arritur të krijojë një prototip të një avioni luftarak që i përket gjeneratës së pestë dhe që konsiderohet si “shah-mat” ndaj Perëndimit.

Gjatë një vizite në panairin ndërkombëtar të aviacionit dhe hapësirës, MAKS 2021, presidenti rus, Vladimir Putin, e pati rastin ta shihte dizajnin e prototipit të avionit të ri luftarak me një motor dhe me teknologji të avancuar, ngjashëm si modeli amerikan, F-22.

Kreu i kompanisë Rostec, Sergey Chemezov, dhe drejtori i përgjithshëm i United Aircraft Corporation (UAC), Yury Slyusar, e paraqitën avionin luftarak para Putinit në pavijonin e ekspozitës së ndërmarrjes Sukhoi.

Kreu i kompanisë, Slyusar, gjithashtu shpalli tiparet e avionit në televizionin shtetëror rus, duke e përshkruar avionin si “unik në klasën e tij” dhe duke shtuar se ai ka “një rreze luftimi prej 1.500 kilometrash, raporti më i madh shtytje-peshë, ngritje dhe ulje e shkurtuar, më shumë se shtatë tonë ngarkesë luftarake, e cila është një rekord absolut për avionin e kësaj klase “.

Fluturimi i parë i këtij avioni pritet të ndodhë në vitin 2023, ndërsa porositë e para priten të fillojnë më 2026.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara