Pas bisedimeve tetë orë SHBA – Ukrainë në qytetin saudit Xhedah të martën, administrata e Presidentit Donald Trump tha se do të heqë menjëherë pezullimin e ndihmës ushtarake dhe do të fillojë ndarjen e të dhënave të inteligjencës me Ukrainën. Njoftimi u bë pasi Kievi pranoi propozimin amerikan për një armëpushim 30 ditor me Rusinë.
Propozimi tani duhet të pranohet edhe nga Kremlini. Banorët e Moskës dhe Kievit kanë qëndrime të ndryshme nëse propozimi për armëpushim është një lajm i mirë apo jo.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha sot se tanimë ka kontaktuar me Moskën dhe propozimi për armëpushim 30 ditor, i pranuar nga Kievi, do t’i dërgohet Moskës për shqyrtim.
“Ne jemi në pritje të përgjigjes ruse dhe u kemi kërkuar atyre që të ndalojnë të gjitha luftimet. Nëse ata thonë jo, atëherë bëhet e qartë se duhet të shqyrtojmë çdo gjë dhe të kuptojmë se cilat janë qëllimet dhe mendësia e tyre”, tha Sekretari Rubio nga Irlanda, ku ndodhet për vizitë.
Negociatat në Xhedah janë takimi i parë i nivelit të lartë mes Uashingtonit dhe Kievit pas debatit të ashpër para kamerave që Presidenti amerikan Donald Trump pati me homologun ukrainas Volodomyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar.
Në Kiev dhe Moskë, banorët kanë qëndrime të ndryshme nëse zhvillimet e 24 orëve të fundit janë pozitive apo jo.
Ukrainasi Andriy, i cili u zhvendos nga Kramatorsku në Kiev për siguri, beson se pavarësisht qëndrimit të politikanëve, populli amerikan është me Ukrainën.
“Vazhdimi i ndihmave ushtarake është lajm shumë i mirë sepse pa të dhënat e inteligjencës amerikane do të ishte shumë e vështirë për ushtarët tanë të luftojnë. Në kemi marrë mbështetje dhe duhet të vazhdojmë të marrim mbështetje në të ardhmen”, thotë ai.
Ushtari ukrainas, Volodymyr megjithatë shpreh paknaqësi me ndryshimin e politikave të Uashingtonit ndaj Ukrainës.
“Unë e kam përjetuar luftën nga brenda dhe ishte e vështirë të shihje ndryshimin e qëndrimit amerikan. Tani do të ketë përsëri ndryshime dhe mund të ndryshojë edhe e ardhmja jonë personale. Nuk është fundi i botës edhe nëse ata do të ndërprisnin gjithë ndihmat ushtarake”, thotë Volodymyri, ushtar ukrainas i plagosur në fushën e betejës.
Në qytetin afër fushës së betejës, Kharkiv, ukrainasit kanë dyshime që Rusia do të respektonte një marrëveshje.
“Nuk i besoj Putinit. Do të ketë mashtrime prej anës së tyre, siç bëjnë gjithmonë. Natyrisht dua që lufta të marrë fund dhe të rikthejmë tokat tona. Por, rusëve nuk u besoj kategorikisht. Zoti na ndihmoftë që gjithçka të shkojë ashtu siç duam ne”, thotë Vasyl Ponomarenko.
Kremlini tha të mërkurën se pret të mësojë nga Uashingtoni hollësitë e propozimit të armëpushimit, ndërsa zyrtarë të lartë rusë thanë në kushte anonimiteti se marrëveshja duhet të marrë parasysh përparimet që ka bërë Rusia në fushën e betejës.
Disa banorë të Moskës të mërkurën thanë se shpresojnë që bisedimet e paqes do të ndalojnë gjakderdhjen.
“Nuk mund të them gjë sepse autoritetet vendosin për këtë. Ata e dinë më mirë. Asgjë nuk varet nga ne. Ne duam që gjithçka të mbarojë sa më shpejtë që është e mundur. Ne duam të jetojmë në paqe dhe që të mos vdes njeri. Ka kaq shumë vdekje tani”, thotë Maria, banore e Moskës.
Të tjerë janë më skeptikë nëse Rusia do të përfitonte nga propozimi.
“Padyshim propozimi nuk është i mirë për ne sepse ne po përparojmë në fushën e betejës. Operacioni rus “Përmbytja” me 1 mijë ushtarë ishte i suksesshëm së fundmi. Natyrisht pati viktima, pavarësisht që askush nuk ka dëshirë të flas për këtë. Ne gjithashtu po çlirojmë territoret tona në rajonin e Kurskut. Prandaj, marrëveshja është e padrejtë pasi armiku ynë po dobësohet”, thotë Vadimi, banor i Moskës.
“Tani Trumpi na thotë me ultimatum: ‘ndaloni luftën sepse Ukraina është e gatshme për armëpushim. Cili është qëllimi? Ne po dominojmë në fushën e betejës tani, kemi punuar gjatë për këtë. Kishte aq shumë gjakderdhje gjatë vitit të kaluar, prandaj ky armëpushim nuk është gjëja e duhur”, thotë Maxim, banor i Moskës.
Në rast se Moska nuk e pranon marrëveshjen, Sekretari Rubio nuk tha se cila do të jetë përgjigja amerikane, por shtoi që në bisedimet e mëparshme me Moskën, zyrtarët rusë kanë treguar gatishmëri për t’i dhënë fund luftës./VOA
Gjermania planifikon një paketë të re ndihme për Ukrainën
Cigaret dhe shishet me alkool dyshohet se shkaktuan zjarrin ...
Hetuesit austriakë thonë se sulmuesi “planifikoi me kujdes” ...
Edon Zhegrova në “radarin” e gjigantit të Serie ...
Konjufca: Nëse Kurti s’i ka numrat, radha i vjen Bedri Hamzë...
Tottenhami zyrtarizon si trajner Thomas Frankun