Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje të mërkurën për ndaljen e luftimeve në Rripin e Gazës dhe për këmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë, raportojnë Associated Press, BBC dhe Reuters.
Arritja e marrëveshjes i hap rrugën përfundimit të luftës mbi njëvjeçare në Gazë, e cila e ka trazuar Lindjen e Mesme.
Zyrtarët nga Katari dhe Hamasi thanë se është arritur një armëpushim për të ndaluar përkohësisht luftën e Izraelit në Gaza dhe për t’i liruar dhjetëra pengje.
Marrëveshja pason muaj negociatash me ndërprerje, të cilat u ndërmjetësuan nga Egjipti dhe Katari, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, dhe u arrit pak para inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, më 20 janar.
Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi thyen mbrojtjet kufitare dhe u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Rreth 100 pengje janë ende brenda Gazës, dhe besohet se një e treta e tyre janë të vdekur.
Prej atëherë, lufta e Izraelit i ka vrarë mbi 46.000 palestinezë në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Hamasit është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Në prag të marrjes së detyrës zyrtarisht, Trumpi e ka përsëritur kërkesën e tij që marrëveshja të arrihet shpejt, duke paralajmëruar vazhdimisht se do të kishte “pasoja të rënda” nëse pengjet nuk do të liroheshin.
I dërguari i tij për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, bashkëpunoi me ekipin e presidentit në shkuarje, Joe Biden, për ta finalizuar marrëveshjen.
Në Izrael, kthimi i pengjeve mund të lehtësojë një pjesë të zemërimit publik ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe Qeverisë së tij të djathtë për dështimin e sigurisë më 7 tetor, që çoi në ditën më të përgjakshme në historinë e vendit.
Konflikti u përhap në të gjithë Lindjen e Mesme, me sulme ndaj Izraelit nga grupet e mbështetura nga Irani në Liban, Irak dhe Jemen, si shenjë solidariteti me palestinezët. Marrëveshja u arrit pasi Izraeli vrau drejtuesit kryesorë të Hamasit dhe grupit libanez, Hezbollah, duke siguruar një epërsi strategjike./rel/
Manipulimi i votave në Prizren, një muaj paraburgim ndaj 23 ...
Rama ‘shpërthen’ ndaj protestës së opozitës: Jashtëderdhja n...
Administrata Trump nën presion, gjithçka dihet për vrasjen n...
Gjenden dhe konfiskohen 150 kg eksploziv dhe armatim në një ...
Policia konfiskon armatim të rëndë në një shtëpi të pabanuar...
Katër persona arrestohen për privim të kundërligjshëm nga li...