Google ADS

Qindra tanke amerikane arrijnë në Baltik

11:31 | 11 Mars 2015
Arbresh.info

Në një mision për të mbrojtur vendet anëtare të NATO-s nga provokimet e mundshme të Rusisë, e cila vitin e kaluar aneksoi Krimenë, dhe nxiti konfliktin në dy rajone të tjera të këtij vendi fqinj, qindra automjete ushtarake amerikane kanë zbarkuar në vendet baltike dhe do të qëndrojnë në Europë.

Dërgesa e tankeve në tre vendet e ish Bashkimit Sovjetik, në Estoni, Lituani dhe Letoni, përkon me vendosjen e një divizioni të këmbësorisë amerikane dhe të stërvitjeve ushtarake të NATO-s në Detin e Zi.

Dërgesa e makinerisë ushtarake në vendet fqinje me Rusinë, si dhe stërvitjet e NATO-s në Detin e Zi, janë mesazh për Moskën për të mos provokuar vendet anëtare të Aleancës Veri-Atlantike.

Nga ana tjetër, Rusia ka njoftuar se e ka pezulluar pjesëmarrjen në Grupin e Përbashkët Konsultativ në Traktatin për Konventën e Forcave të Armatosura në Evropë, duke filluar prej 11 marsit. Po ashtu, Rusia njoftoi se është tërhequr edhe nga pakti i kontrollit të armëve evropiane.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi Brukselin se është duke u përpjekur për të shtyrë afatet për një marrëveshje politike për dy rajonet (proruse) të Ukrainës lindore dhe ka thënë se byrokratët e Bashkimit Evropian qëllimisht janë duke e përshkallëzuar konfrontimin me Rusinë.

Lavrov veçoi Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, duke e akuzuar atë si nxitës të tensioneve, pasi ish-kryeministri polak, një ditë më parë, i kërkoi falje presidentit amerikan, Barak Obama për vonesat e Bashkimit Evropian për të vepruar shpejtë kundër Rusisë, ashtu si shtetet e Bashkuara.

Shpërndaje në rrjete sociale