Presidenti algjerian premton se do të largohet nga pushteti nëse lihet në post edhe për një vit

12:18 | 4 Mars 2019
A Z

Një televizion algjerian ka raportuar se presidenti aktual i vendit, Abdelazez Bouteflika, ka premtuar se do të largohet vullnetarisht nga pushteti nëse i jepet mandat edhe për një vit. Ai pritet të garojë në zgjedhjet e prillit, ndonëse e ka mbajtur postin e presidentit që nga viti 1999.

Njoftimin për ofertën e presidentit për protestuesit dhe kundërshtarët politikë e lexoi një zyrtar i lartë i qeverisë. Ai ka thënë se presidenti premton që do të organizojë zgjedhje të parakohshme brenda një viti.

Ky premtim po vlerësohet si përpjekje e presidentit për t’i qetësuar protestuesit, të cilët po dalin në rrugë për dhjetë ditë me radhë. Sidoqoftë, protesta të reja janë mbajtur edhe gjatë orëve të vona të natës së kaluar, pavarësisht ofertës së presidentit.

Disa qindra protestues, shumica prej të cilëve ishin të moshës së re, kanë marshuar nëpër qendër të Algjerit, ku policia i ka bllokuar disa rrugë. Protesta ka qenë e qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident.

Ky është reagimi i parë publik i presidentit që nga fillimi i protestave para dhjetë ditësh. Ato po vlerësohet si kryengritjet më të mëdha që nga periudha e “Pranverës Arabe” e vitit 2011, shkruan “Reuters”,

 

Shpërndaje në rrjete sociale