Po e pastronin lumin, mbyten 11 nxënës

10:27 | 16 Tetor 2021

11 nxënës humbën jetën dhe 10 të tjerë u shpëtuan gjatë një ekskursioni shkolle për pastrimin e lumit në Provincën Java të Indonezisë, thanë zyrtarët.

Sipas zyrtarëve lokal 150 nxënës nga një shkollë e mesme islame po merrnin pjesë në pastrimin e bregut të lumit Cileueur ku 21 prej tyre ranë në ujë, shkruan Associated Press, transmeton arbresh.info

“Moti ishte i mirë dhe nuk pati përmbytje,” tha Deden Ridwansyah, shefi i Zyrës së Kërkimit dhe Shpëtimit në Bandung. “Ata fëmijë që u mbytën mbanin duart e njëri-tjetrit. Njëri prej tyre rrëshqiti dhe të tjerët e ndoqën”, tha Ridwansyah.

Banorët aty pranë dhe një ekip shpëtimi arritën të shpëtojnë 10 nga studentët, të cilët u dërguan në një spital aty pranë.

Sipas zyrtarëve studentët nuk kishin veshur pajisje noti.

Disa raporte thanë se ata po përpiqeshin të kalonin lumin, kur ranë brenda. / arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara