Përshkallëzohen protesta në Iran – Qindra të vrarë, internet i bllokuar dhe reagime nga SHBA

22:00 | 11 Janar 2026
E.G

Protestuesit në Iran dolën sërish në rrugë mbrëmjen e së shtunës, duke sfiduar dhunën e forcave të sigurisë dhe një fushatë të ashpër shtypjeje nga autoritetet. Kjo ndodh pavarësisht raportimeve për mbi 450 të vrarë dhe qindra të plagosur gjatë tri ditëve të fundit. Pamje të verifikuara nga BBC tregojnë përplasje të dhunshme në disa qytete, ndërsa qeveria ka vendosur një bllokim pothuajse total të internetit në të gjithë vendin.

Prokurori i përgjithshëm i Iranit paralajmëroi se pjesëmarrësit në protesta do të trajtohen si “armiq të Zotit”, një akuzë që sipas ligjit iranian dënohet me vdekje. Protestat nisën për shkak të inflacionit dhe rritjes së çmimeve, por tani protestuesit kërkojnë hapur fundin e regjimit klerikal dhe largimin e liderit suprem Ali Kamenei.

Vetë Kamenei i ka quajtur demonstruesit vandalë dhe ka hedhur poshtë kërkesat e tyre. Pamjet nga Teherani dhe qytete të tjera tregojnë rrugë të bllokuara, zjarre, të shtëna armësh dhe njerëz që përplasen me policinë. Një ekspert i internetit tha për BBC se lidhja në internet është pothuajse e ndërprerë plotësisht dhe se komunikimi me botën e jashtme është shumë i vështirë. Spitalet në disa qytete raportohen të mbingarkuara, ndërsa burime mjekësore flasin për viktima edhe mes fëmijëve.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi duke thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të ndihmuar Iranin. Ndërkohë, Izraeli është në gatishmëri të lartë për çdo zhvillim të mundshëm në rajon. Irani ka paralajmëruar se çdo sulm nga SHBA do të pasohej me kundërpërgjigje ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajon./rtsh.al/