Një avokat zviceran ka njoftuar të hënën se ka paraqitur një padi në Zvicër kundër gazetës satirike franceze Charlie Hebdo, pas publikimit më 9 janar të një karikature që lidhet me zjarrin vdekjeprurës në një bar në vendpushimin turistik Crans-Montana.
Në vizatim, dy skiatorë me lëkurë të nxirë dhe me fasha zbresin një shpat ku shihet tabela e sinjalizimit “Crans-Montana”, të shoqëruar me mbishkrimet “Të djegurit bëjnë ski” dhe “Komedia e vitit”, në referencë ndaj filmit komik të vitit 1979 Les Bronzés font du ski.
“Është një veprim qytetar”, ka deklaruar për AFP-në avokati Stéphane Riand, i cili e ka paraqitur padinë së bashku me bashkëshorten e tij, Béatrice, shkrimtare, pranë prokurorisë së kantonit Valais.
Sipas tij, ky vizatim është “një paraqitje e dhunës që cenon dinjitetin njerëzor të viktimave”, duke theksuar se liria e shprehjes “mund të vihet në plan të dytë” në raste të caktuara, sipas legjislacionit zviceran.
Padia përfshin edhe autorin e karikaturës, Eric Salch.
Vizatimi u botua më 9 janar, ditë që në Zvicër u shpall ditë zie kombëtare në nderim të viktimave të kësaj tragjedie, e cila mori 40 jetë – kryesisht adoleshentë dhe të rinj – dhe la 116 të plagosur në natën e Vitit të Ri. Mes viktimave ka pasur edhe shtetas të huaj, përfshirë francezë dhe italianë.
I kontaktuar nga AFP-ja, Charlie Hebdo nuk ka dhënë asnjë koment.
Në padi thuhet se vizatimi “i paraqet grafikisht vetë viktimat, të përdorura si boshti kryesor i një mesazhi satirik që kufizohet me neverinë”. Kjo padi është publikuar në llogarinë në Facebook të zonjës Riand.
“Shndërrimi simbolik i viktimave reale në aktorë të buzëqeshur të një drame – për të cilën ato nuk mbajnë asnjë përgjegjësi – përbën një çnjerëzim grafik, të papajtueshëm me respektin minimal që i detyrohet dinjitetit njerëzor”, argumentojnë paditësit, duke vlerësuar se, në këtë rast konkret, respekti për dinjitetin njerëzor mbizotëron mbi lirinë e shprehjes.
Ata kërkojnë që prokuroria zvicerane të hapë një hetim penal ndaj drejtuesve të Charlie Hebdo-s dhe karikaturistit të saj. / Burimi: La Presse
Po bënte sehire? Klipi që shfaq veprimet e çuditshme të Bias...
Humbi kontrollin e makinës dhe përplaset me katër automjete ...
Limi ia thotë troç Albës: Unë nuk erdha këtu për ty
Keqpërdorimi i ‘rezervave shtetërore’, Hajdari, Lipovica, Ga...
PSG eliminohet nga Kupa e Francës, pëson humbje shokuese nga...
7 arsye pse dhembin kockat e fytyrës: Shkaku shpesh nuk ësht...