Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha më 19 korrik se Ursula von der Leyen është “një punonjëse” dhe jo kundërshtare.
Von der Leyen, e cila më 18 korrik u rizgjodh edhe për një mandat në postin e presidentes të Komisionit Evropian, ka qenë kritike e vazhdueshme e raporteve të ngushta të Orbanit me Moskën, por edhe për ngecjet në demokraci në Hungari.
Orban, shteti i të cilit më 1 korrik mori udhëheqjen e presidencës së BE-së, vazhdimisht ka kundërshtuar mbështetjen evropiane për Ukrainën dhe sanksionet e vendosura kundër Moskës.
Më herët gjatë këtij muaji, ai realizoi një “mision të paqes”, duke vizituar Moskën dhe Pekinin, vizita këto që u kritikuan nga presidentja e KE-së, por edhe nga liderë të tjerë të bllokut evropian. Ai më pas u takua edhe me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, i cili është kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
“Von der Leyen nuk është kundërshtarja jonë politike, ajo është punonjësja jonë dhe e juaja”, tha Orban, gjatë një interviste për radion shtetërore hungareze më 19 korrik.
“Detyra e saj është të zbatojë linjën e përcaktuar nga kryeministrat. Pasi ajo merr rrogën nga shtetet anëtare, ajo është në një raport varësie”, tha Orban.
Deklaratat e Orbanit vijnë një ditë pasi von der Leyen, gjatë fjalimit të saj në Parlamentin Evropian para votimit për rizgjedhje, i kritikoi vizitat e realizuara nga Orbani.
Orban po ashtu u bëri thirrje krerëve të BE-së që të jenë më efektiv që ta mbajnë “përgjegjëse” von der Leyen, duke shtuar se performanca e saj ka qenë “shumë e dobët”.
Nën udhëheqjen e partisë Fidesz të Orbanit – që ka qenë në pushtet në Hungari që nga viti 2010 – Hungaria është akuzuar për dobësim të sundimit të ligjit, për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe për rritje të rasteve korruptive. Fonde të BE-së, në vlerë prej miliarda eurosh, të dedikuara për Hungarinë janë bllokuar nga BE-ja për shkak të këtyre shqetësimeve./REL
Hamza: Qeveria të ndalë provokimet dhe keqpërdorimin e shtet...
“Një këngë me një mesazh”, BBC vlerëson performancën e Alis:...
A duhet partitë ta paraqesin nga një emër për president para...
Rama vizitë zyrtare në Estoni, merr pjesë në Konferencën Len...
Shqipëria dhe Kosova intensifikojnë koordinimin për Lojërat ...
Trump paralajmëron Iranin: Durimi im po mbaron, duhet të bëj...