Një italian është duke u hetuar lidhur me pretendimet se ka paguar anëtarët e ushtrisë së serbëve të Bosnjës për të udhëtuar në Sarajevë, ku ka vrarë civilë gjatë rrethit katërvjeçar të qytetit në vitet ’90.
Prokurorët në Milano janë duke hetuar individë lidhur me atë që është njohur si “turizëm i snajperëve”.
Italiani 80-vjeçar po hetohet për vrasje, ka thënë një burim për “The Guardian”. Ish-shofer kamioni nga rajoni verior italian Veneto, ai është i dyshuari i parë që është vendosur nën hetim që kur ka nisur prokuroria italiane hetimet në nëntor.
Sipas raportimeve në mediat italiane, i dyshuari është mburrur për “kryerjen e një gjuetie njerëzore”.
Rreth 14 mijë persona raportohet se janë vrarë në rrethimin e Sarajevës nga prilli i vitit 1992 deri në fund të shkurtit të vitit 1996.
Snajperistët ishin elementi më i frikshëm i jetës nën rrethim, pasi ata vrisnin njerëz në rrugë, përfshirë edhe fëmijë. Sarajeva është e rrethuar nga malet, gjë që e bënte sulmin ndaj saj veçanërisht të lehtë.
Grupe të njerëzve të shtetësive të huaja, të njohur si “turistë snajperësh”, dyshohet se morën pjesë në masakër duke paguar shuma të mëdha parash ushtarëve të serbëve të Bosnjës, të udhëhequr nga Radovan Karaxhiqi, i cili në vitin 2016 është shpallur fajtor për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
“Turistët” transportoheshin në kodrat përreth Sarajevës në mënyrë që të qëllonin njerëzit.
Hetimi në Itali nisi nga një ankesë ligjore e bërë nga Ezio Gavazzeni, një shkrimtar me seli në Milano që mblodhi provat për këto akuza. Po ashtu një raport iu dërgua prokurorëve nga ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariq.
Gavazzeni tha se kishte lexuar për herë të parë për raportet për “turistë snajperë” në mediumet italiane në vitet ’90, por vetëm kur e pa dokumentarin “Sarajevo Safari” të vitit 2022 të regjisorit slloven Miran Zupaniq, ai nisi të hetonte mëtutje.
Në dokumentar, një ish-ushtar serb dhe një kontraktues tha se qytetarë të vendeve perëndimore qëllonin mbi popullsinë civile nga kodrat përreth Sarajevës.
Duke folur për “The Guardian” në nëntor, Gavazzeni tha se të dyshuarit italianë takoheshin në qytetin verior të Triestes dhe udhëtonin për në Beograd, ku pjesëtarët e ushtrisë së serbëve të Bosnjës i shoqëronin ata në kodrat e Sarajevës.
Lidhur me “turizmin e snajperëve”, gazetari kroat Domago Margetiq, ka paraqitur në prokurori në Milano presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka dërguar edhe video e foto të Vuçiqit në Sarajevë gjatë kohës së rrethimit. Vuçiq mohoi akuzat.
Tragjedi në futbollin turk, vdes tifozi i Kocaelisporit, ra ...
Pesticidet kërcënojnë zinxhirin ushqimor
Rrëzohet helikopteri gjatë reagimit ndaj të shtënave në Ariz...
Satelitët ruse kanë përgjuar komunikime sekrete evropiane pr...
BILD raporton se ylli i Bayernit refuzoi Arsenalin në ditën ...
Moti nesër me vranësira dhe riga shiu