Një i vrarë dhe 20 të plagosur në sulmet izraelite në Liban

14:24 | 27 Qershor 2025
E.K

Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se një grua u vra dhe 20 persona u plagosën në një seri sulmesh ajrore izraelite në Nabatieh, në jug të Libanit, më herët gjatë ditës.

Ministria thotë se gruaja u vra dhe 13 persona të tjerë u plagosën kur një sulm ajror goditi një ndërtesë apartamentesh në Nabatieh.

Shtatë të tjerë u plagosën në sulmet ajrore në periferi të qytetit, thonë zyrtarët.

Presidenti i Libanit Joseph Aoun i është bashkuar kryeministrit të vendit, Nawaf Salam, në dënimin e sulmeve të Izraelit në Libanin jugor më herët gjatë ditës së sotme.

“Izraeli vazhdon të shpërfillë rezolutat dhe thirrjet rajonale dhe ndërkombëtare për të ndaluar dhunën dhe përshkallëzimin në rajon, gjë që kërkon veprime efektive nga bashkësia ndërkombëtare për t’i dhënë fund këtyre sulmeve që nuk i shërbejnë përpjekjeve të bëra për të vendosur stabilitet në Liban dhe në vendet e rajonit”, shkroi Aoun në X.