Mediat shtetërore iraniane raportuan se ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi, do të udhëtojë për Teheran më 4 gusht, për një vizitë të rrallë, në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe armikut të tij të përbetuar, Izraelit, janë rritur.
Safadi dhe ministri i Jashtëm në detyrë i Iranit, Ali Baqeri Kani, biseduan në telefon dy herë në dy ditët e fundit, për zhvillimet në Lindjen e Mesme, pas vrasjes në Teheran të Ismail Haniyehut, liderit politik të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Vizita e Safadit në Iran do të jetë e para nga një ministër i Jashtëm jordanez prej marsit të vitit 2015.
Vdekja e Haniyehut në tokën iraniane dhe sulmet izraelite ndaj grupeve të mbështetura nga Teherani, të cilat përfshihen në sulme kundër Izraelit, kanë nxitur frikë për rrezikun e shpërthimit të një lufte të drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Izraelit dhe për një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme.
Haniyeh u vra mëngjesin e 31 korrikut në një lagje të pasur në Teheran, pak pasi kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit iranian, Masud Pezeshkian, në Parlament.
Irani dhe Hamasi e kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e Haniyehut dhe janë zotuar se do të hakmerren. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e tij, por as nuk e ka mohuar atë./rel/
Ministria e Mbrojtjes mohon testimin e dronit “Skifter 1” në...
“Po i mbush 19 vjeç, aq sa ishte motra ime kur vdiq ...
Rubio: SHBA dëshiron ndryshim regjimi në Kubë
Elijona shkëlqen sonte në ditëlindjen e saj, Benita i bën nj...
Çfarë i ndodh trupit tuaj kur ndaloni së ngrëni tre orë para...
Shqipëri: Pakësohen martesat, shtohen divorcet – familja shq...