Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur në Bruksel për një takim dyditor ku në qendër të diskutimeve janë forcimi i kapaciteteve ushtarake të Aleancës, përgatitjet për samitin e ardhshëm dhe vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën.
Takimi po drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili theksoi se kjo mbledhje shërben si etapë përgatitore për Samitin që do të mbahet në Turqi në muajin korrik.
Rutte kujtoi se në Samitin e kaluar në Hagë, aleatët u zotuan për rritjen graduale të shpenzimeve të mbrojtjes deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Sipas tij, tashmë pritet që ministrat të raportojnë mbi hapat konkretë që po ndërmerren për realizimin e këtij objektivi.
Ai theksoi se investimet duhet të shoqërohen me rritje reale të prodhimit ushtarak.
“Nevojitet më shumë mbrojtje ajrore, më shumë municione dhe zinxhirë furnizimi më të qëndrueshëm. Industria e mbrojtjes duhet të lëvizë më shpejt dhe të përmbushë kërkesat në shkallë të gjerë,” deklaroi Rutte.
Një tjetër çështje e diskutuar është ndarja e re e posteve të larta në Strukturën e Komandës së NATO-s. Sipas kreut të Aleancës, vendet evropiane do të marrin më shumë përgjegjësi, përfshirë edhe anëtarët më të rinj.
“Kjo tregon se po ecim drejt një Aleance më të balancuar dhe më të drejtë,” u shpreh ai.
Në takim merr pjesë edhe ministri i ri i Mbrojtjes i Ukrainës, Mykhailo Fedorov. NATO dhe partnerët e saj pritet të diskutojnë mënyra për ta rritur dhe koordinuar më mirë ndihmën ushtarake dhe logjistike për Kievin.
Në tryezë është i përfshirë edhe Bashkimi Evropian, me theks në koordinimin e përbashkët për sigurinë evropiane.
NATO konfirmoi se situata në Ballkanin Perëndimor mbetet në fokus të veçantë. Rutte deklaroi se Aleanca po ndjek nga afër zhvillimet në rajon, përfshirë Kosovën.
Ai theksoi se NATO pret përgjegjësi dhe llogaridhënie nga Serbia për ngjarjet e ndodhura në Banjskë në vitin 2023.
Zyrtarë të NATO-s theksuan se stabiliteti në rajon nuk mund të arrihet përmes mjeteve ushtarake, por përmes dialogut politik. Aleanca vazhdon të mbështesë dialogun Kosovë–Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe pret hapa konkretë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Sipas NATO-s, Ballkani Perëndimor mbetet rajon me rëndësi strategjike për sigurinë euroatlantike, ndërsa përgjegjësia kryesore për ruajtjen e stabilitetit bie mbi liderët politikë të vendeve të rajonit.
Trafiku Urban dhe sindikata arrijnë marrëveshje, shmanget gr...
Gërvalla ia dorëzon detyrën Konjufcës me plotë lëvdata për p...
Doyle: Vendimi për Thaçin dhe të tjerët pritet brenda tre de...
Ambasada e SHBA-së mirëpret formimin e Kuvendit dhe Qeverisë
Në 15:00 mblidhet kryesia e kuvendit, në rend dite propozimi...
Gjyqi në Hagë, Kuvendi i Shqipërisë miraton deklaratën për p...