Disa mijëra njerëz protestuan të dielën në kryeqytetin gjerman, Berlin, kundër antisemitizmit, urrejtjes dhe racizmit.
Marshimi i protestës u ndërmor përballë rritjes së incidenteve antisemite që nga sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor dhe nisja e ofensivës izraelite në Gaza.
Një protestë e ngjashme u mbajt në kryeqytetin belg, Bruksel, në mbështetje të komunitetit hebre të vendit.
“Kurrë më” është tani
Në Berlin, protestuesit duruan shiun e madh kur marshuan nga Tiergarten drejt portës së Brandenburgut nën sloganin “Kurrë më është tani”, një referencë për Holokaustin dhe krimet e kryera nga qeveria naziste.
Policia e vlerësoi numrin e pjesëmarrësve në 3200 vetë, kurse organizatorët thanë se prisnin 10.000 vetë që të merrnin pjesë në marshim.
Josef Schuster, President i Këshillit Qendror të Hebrenjve, tha në këtë ngjarje se ai ndonjëherë nuk e njeh Gjermaninë, sepse “diçka ka dalë jashtë kontrollit“, duke iu referuar rritjes së incidenteve antisemite në vitet e fundit, veçanërisht që nga fillimi i konflikti i fundit mes Izraelit dhe Hamasit.
“Ka ende një mundësi për të riparuar këtë situatë, por për ta bërë këtë duhet të pranojmë edhe atë që ka ecur keq në vitet e fundit, atë që nuk mundëm ose nuk donim të shihnim”, shtoi ai.
Në protestë morën pjesë edhe ministri i Punës, Hubertus Heil, dhe Presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas.
Gjermania ka ndaluar disa demonstrata propalestineze javët e fundit, pasi disa protestues brohoritën slogane antisemite në manifestimet e mëparshme.
Gjermania ka regjistruar gjithashtu qindra vepra penale kundër popullit dhe institucioneve hebreje, duke përfshirë sinagogat dhe shkollat.
Megjithatë, një demonstratë propalestineze u mbajt në qendër të Berlinit të dielën, e cila mblodhi 2.500 njerëz në kulmin e saj, sipas policisë.
Demonstrata e Brukselit tërheq 4000 njerëz
Pjesëmarrësit në demonstratën e Brukselit valëvitën flamuj belgë dhe mbanin pankarta që shkruanin “Nuk duhet të jesh hebre për të marshuar kundër antisemitizmit”, “Antisemitizmi vret” dhe slogane të tjera.
Joel Rubinfeld, president i Lidhjes Belge kundër Antisemitizmit, tha se Belgjika ka përjetuar “një rritje të madhe” të urrejtjes anti-hebreje në dy muajt e fundit.
“Ne jetojmë në një periudhë shumë të ndërlikuar,” tha ai, duke shtuar se demonstrata i dërgon “një mesazh komunitetit hebre në Belgjikë për t’i thënë atij se nuk është vetëm.”
Protestat e së dielës ishin të fundit në një seri manifestimesh në kryeqytetet evropiane në mbështetje të komuniteteve hebreje, duke përfshirë ato në Londër dhe Paris/ DW
Dita e Çlirimit, Haradinaj: Deçani i trimërisë dhe sakrificë...
Pas tri ditësh pa kontakt, 54-vjeçari gjendet i vdekur në ba...
Kurti bëri homazhe pranë bustit të mjekut dhe ushtarit të UÇ...
Zgjedhjet lokale, nga 28 qershori hapet periudha për ndërrim...
Rashiq reagon ndaj ndalimit të flamurit serb për Vidovdan
Nesër nis rinumërimi i votave për Tiranën, Elbasanin, Fierin...