Më urdhër të Trumpit, SHBA-ja do të tërhiqet edhe nga 66 organizata ndërkombëtare

11:27 | 8 Janar 2026
E.K

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga 66 organizata ndërkombëtare të identifikuara si pjesë e shqyrtimit të Administratës Trump të organizatave ndërkombëtare të dëmshme, joefektive dhe shpërdoruese.

Shqyrtimi i organizatave të tjera ndërkombëtare në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 14199 mbetet në vazhdim, thuhet një njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ne mesin e tyre janë Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunale Penale (pasardhësi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë), UN Women, e Këshilli për Bashkëpunim Rajonal.

Në këtë të fundit, Kosova bën pjesë, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe kjo organizatë synon forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore dhe synon afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.

Në Komisionin e Venecias, që është trup këshillues për çështje kushtetuese dhe jep rekomandime për parlamentet dhe qeveritë, SHBA-ja ishte vëzhguese e jo anëtare.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se rishikimi i organizatave të tjera ndërkombëtare mbetet në vazhdim, e që këto tërheqje mbajnë një premtim kyç që Trump u bëri amerikanëve “ne do të ndalojmë subvencionimin e burokratëve globalistë që veprojnë kundër interesave tona. Administrata Trump do ta vërë gjithmonë Amerikën dhe amerikanët në radhë të parë”.