Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje të mërkurën homologut të vet iranian, Masud Pezeshkian, “të bëjë gjithçka për ta shmangur një përshkallëzim të ri ushtarak” në Lindjen e Mesme, njoftoi Presidenca franceze.
“Një përshkallëzim ushtarak nuk do të ishte në interesin e askujt, as të Iranit, dhe do ta dëmtonte stabilitetin afatgjatë në rajon”, i tha Macroni Pezeshkianit gjatë një bisede telefonike, sipas njoftimit.
Presidenti francez bëri thirrje të ndalet “logjika e hakmarrjes” dhe të “mbrohen popullsitë civile”.
Druajtjet për shpërthimin e një lufte mes Iranit dhe Izraelit janë rritur javët e fundit, pas vrasjes në Teheran të Ismail Haniyehut, liderit politik të Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Irani dhe Hamasi e kanë fajësuar Izraelin për vrasjen e tij. Haniyehu ndodhej në Teheran për të marrë pjesë në inaugurimin e Pezeshkianit.
Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Haniyehut, por as nuk e ka mohuar atë.
Hezbollahut, grupi militant libanez i mbështetur nga Irani, ka kërcënuar gjithashtu se do të hakmerret ndaj Izraelit, pasi autoritetet izraelite thanë se e vranë në Bejrut njërin prej komandantëve të Hezbollahut javën e kaluar.
“Irani duhet të përkushtohet për t’iu bërë thirrje aktorëve destabilizues, të cilët i mbështet, të vetëpërmbahen për ta shmangur përshkallëzimin”, tha Macron.
Më herët të mërkurën, Pezeshkian u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të Perëndimit ta ndalin mbështetjen për Izraelin./REL/
Paralajmërimi i ambasadës së SHBA-së, MIA: S’ka informacione...
“Do ngremë kompaninë publike për naftën”, Rama: Do të futemi...
48-vjeçari shqiptar dënohet me 25 vjet burg për trafikim dro...
Oferta të ndryshme për Lewandowskin, ndër to edhe Barça
Furnizoi me naftë avionët amerikanë, Irani paralajmëron Bull...
Familjarët mbushin gjykatën në Greqi për tragjedinë e rëndë ...