Macron: Franca, Gjermania dhe Britania ofrojnë negociata të plota me Iranin

14:42 | 20 Qershor 2025
E.K

Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë të gatshme t’i bëjnë Iranit një ofertë për negociata të plota që përfshijnë çështjet bërthamore, raketore dhe ato të sigurisë rajonale. Kështu deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron, vetëm pak orë para një takimi të rëndësishëm diplomatik që pritet të mbahet në Gjenevë, Zvicër.

Duke folur për mediat në kuadër të një ekspozite të mbrojtjes në Francë, Macron theksoi se nuk duhet të ketë “asnjë lëshim” kur bëhet fjalë për rrezikun e një Irani të armatosur me armë bërthamore.

“Rikthimi në tryezën e negociatave duhet të jetë prioritet absolut, përfshirë çështjen bërthamore. Objektivi është të arrihet zero pasurim i uraniumit, kufizime në programin balistik dhe ndalimi i financimit të grupeve terroriste që destabilizojnë rajonin,” deklaroi presidenti francez.

Sipas Macron, ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot, së bashku me homologët e tij gjermanë dhe britanikë, do t’i paraqesin ministrit të jashtëm iranian Abbas Araghchi një ofertë për negociata diplomatike dhe teknike.

Takimi mes palëve pritet të zhvillohet sot në Gjenevë, duke filluar në orën 15:00 sipas orës lokale.

Ndërkohë, sipas një diplomati francez, Barrot ka informuar të enjten Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për qasjen që vendet evropiane do të ndjekin gjatë bisedimeve me Iranin. Rubio, nga ana e tij, konfirmoi se SHBA është e gatshme për kontakt të drejtpërdrejtë me Iranin në çdo moment.

Të dy ministrat ranë dakord që të zhvillojnë një telefonatë pasuese pas takimit të Gjenevës për të shkëmbyer informacione dhe për të vazhduar koordinimin transatlantik mbi këtë çështje të ndjeshme./CNN