Kutia e zezë gjendet në vendin e rrëzimit të Air India

22:52 | 13 Qershor 2025
Q L

Një kuti e zezë është gjetur në vendin e rrëzimit të avionit të Air India në Ahmedabad, konfirmoi të premten ministri indian i aviacionit civil. Regjistruesi i të dhënave të fluturimit u gjet brenda 28 orëve nga Byroja e Hetimeve të Aksidenteve Ajrore të Indisë .

Të gjithë përveç njërit nga 242 personat në bordin e avionit që po fluturonte drejt Londrës humbën jetën kur ai u përplas në një zonë banimi më pak se 60 sekonda pas ngritjes mëngjesin e së enjtes. Një zyrtar i tha BBC-së se të paktën tetë persona në tokë gjithashtu humbën jetën.

“[Gjetja e kutisë së zezë] shënon një hap të rëndësishëm përpara në hetim” dhe do të “ndihmojë ndjeshëm hetimin” për këtë katastrofë, tha Kinjarapu.

Avionët zakonisht mbajnë dy kuti të zeza – pajisje të vogla por shumë të forta për regjistrim elektronik të të dhënave.

Njëra regjistron të dhënat e fluturimit, si lartësia dhe shpejtësia. Tjetra regjistron tingujt nga kabina e pilotit, kështu që hetuesit mund të dëgjojnë se çfarë thonin pilotët dhe çdo zhurmë të pazakontë.

AAIB po udhëheq hetimin për shkakun e rrëzimit, me ndihmën e ekipeve nga SHBA dhe Britania. Shefi ekzekutiv i Boeing-ut, Kelly Ortberg, tha se kompania po mbështet hetimin.

Air India tha se në bordin e avionit Boeing 787 Dreamliner, kur u rrëzua pak pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel në Ahmedabad në orën 13:39 me orën lokale (08:09 GMT), ndodheshin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, shtatë portugezë dhe një kanadez, raporton BBC.

Fluturimi AI171 ishte planifikuar të ulej në Aeroportin Gatwick të Londrës në orën 18:25 BST.