Kur pritet të zgjidhet kancelari i ri i Gjermanisë

14:23 | 12 Prill 2025
K.B

Friedrich Merz, kryetar i Partisë Kristiandemokrate (CDU), pritet të zgjidhet kancelar i ri i Gjermanisë më 6 maj. Kjo është njoftuar nga disa agjenci lajmesh, të cilat citojnë informacione nga qarqet e partive. Dita e zgjedhjes është po ashtu përmendur nga gazeta Tagesspiegel, e cila ka theksuar se përgatitjet përkatëse në Bundestag tashmë kanë filluar.

Miratimi i marrëveshjes së koalicionit nga partitë SPD dhe CDU është një parakusht për zgjedhjen e kancelarit. CDU do të bëjë miratimin përmes një kongresi partie, ndërsa SPD përmes një procesi votimi të anëtarëve të partisë. Parti e motër e CDU-së, CSU, ka miratuar marrëveshjen që në datën 10 prill. Sipas statutit të CDU-së, një kongres i vogël partie duhet të aprovojë koalicionin, ndoshta më 28 prill. Ndërkohë, votimi i anëtarëve të SPD-së do të zhvillohet më 30 prill.

Pas miratimit të marrëveshjes së koalicionit, janë parashikuar mbledhje të grupeve parlamentare më 5 maj. Menjëherë pas zgjedhjes së kancelarit, presidenti Frank-Ëalter Steinmeier do të emërojë anëtarët e rinj të kabinetit, të cilët më pas do të betohen përpara Bundestagut.

Me zgjedhjen e Merz si kancelar, Gjermania do të ketë qeverinë e saj të pestë të koalicionit të gjerë që nga viti 1949, ndërmjet partive CDU, CSU dhe SPD. Pas një periudhe diskutimesh të gjata, partitë ranë dakord për marrëveshjen e koalicionit.

Pas betimit të kabinetit të ri, CDU do të nisë menjëherë punën për realizimin e prioriteteve të saj. Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann, ka theksuar se do të ketë një “program të menjëhershëm”, me qëllimin që të krijohet një “frymëmarrje e re” në Gjermani, edhe para pushimeve të Bundestagut.

Po ashtu, CDU ka përmendur si prioritet kthimin e azilkërkuesve të refuzuar në Afganistan dhe Siri. Ndërsa, ministri i Mbrojtjes në detyrë, Boris Pistorius nga SPD, ka planifikuar implementimin e një shërbimi të ri ushtarak gjatë këtij viti./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme