Koreja e Veriut ka dënuar deklaratën e samitit të NATO-s të mbajtur në Uashington, përmes së cilës u dënuan eksportet e armëve verikoreane në Rusi. Pheniani e quajti këtë dokument “të paligjshëm”, raportoi media shtetërore verikoreane më 13 korrik.
Në deklaratën e përbashkët të lëshuar këtë javë, liderët e NATO-s kritikuan Korenë e Veriut për ndihmën që i ofron luftës së Rusisë kundër Ukrainës “duke i ofruar mbështetje direkte ushtarake” Moskës.
Liderët e NATO-s po ashtu shprehën “shqetësim të thellë” lidhur me mbështetjen që Kina i ofron Rusisë.
Pheniani vazhdimisht mohon pretendimet se i dërgon armë Rusisë, por në qershor lideri verikorean, Kim Jong Un, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkruan një marrëveshje që përfshin edhe zotimin se shtetet do të ndihmojnë njëri-tjetrin nëse ndonjëri do të sulmohej.
Media shtetërore në Korenë e Veriut tha se Ministria e Jashtme e shtetit “dënon dhe refuzon fuqishëm” deklaratën e NATO-s.
Duke cituar një zëdhënës i Ministrisë, KCNA raportoi se deklarata “nxit një Luftë të re të Ftohtë dhe konfrontim ushtarak në shkallë globale” dhe kërkon “një forcë të re dhe mënyrë të re kundërveprimi”.
Në margjinat e samitit të NATO-s, Seuli dhe Uashingtoni gjatë kësaj jave nënshkruan një udhëzues për sistemin e integruar të parandalimit në Gadishullin Korean për të zmbrapsur kërcënimet bërthamore dhe ushtarake që vijnë nga Koreja e Veriut.
Zyra e Presidentit në Korenë e Jugut tha se Seuli dhe Uashingtoni do të kryejë stërvitje të përbashkëta ushtarake për të ndihmuar në zbatimin e udhëzuesit të ri, që formalizon dislokimin e aseteve bërthamore të SHBA-së në dhe përreth Gadishullit Korean për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur sulmeve të mundshme bërthamore nga Pheniani.
Në një deklaratë të ndarë të publikuar po të shtunën, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Veriut akuzoi Seulin dhe Uashingtonin se me nënshkrimin e udhëzuesit, ata “qëllimshëm po rrisin përgatitjet e tyre për një luftë bërthamore” kundër Veriut.
Raportet mes dy Koreve janë në pikën më të ulët ndër vite, teksa Pheniani ka intensifikuar testimin e armëve dhe është afruar më shumë me Rusinë./rel
E dhimbshme: Nesër varroset Hekuran Hoxha, biznesmeni nga Gj...
“Memories”, Gjesti publikon këngën më emocionale të tij
Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron për pasoja të rënd...
Dogana dhe AKI me aksion kundër barnave të kontrabanduara në...
Çka u konfiskua në aksionin e Antidrogës në Suharekë? – poli...
“Je i pashpirt”, DJ Gimbo shpërthen ndaj Rogertit pas pyetje...