Konferenca e sigurisë në Mynih nxori në pah dallimet SHBA-Evropë

23:14 | 15 Shkurt 2026
E.H

Në Mynih ka përfunduar konferenca vjetore e sigurisë, më e madhja e këtij lloji në Evropë. Këtë vit, konferenca vuri në pah dallimet në rritje mes SHBA-së dhe Evropës, aleatë tradicionalë, marrëdhëniet e të cilëve po vazhdojnë të tensionohen.

Në konferencën ku morën pjesë përfaqësues nga mbi 110 shtete të botës, u theksuan përçarjet gjithnjë e më të thella mes vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara sa i përket çështjeve të sigurisë globale dhe qasjes ndaj tyre. U bë e qartë se vendet evropiane kanë filluar të përqendrohen më shumë në rritjen e kapaciteteve të tyre mbrojtëse, me qëllim të zvogëlimit të varësisë disa dekadëshe nga SHBA-ja.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në fjalimin e tij tha se Uashingtoni dëshiron të punojë ngushtë me vendet evropiane dhe se SHBA-ja dhe Evropa ndajnë vlera të përbashkëta kulturore e historike. Ai theksoi se vendet evropiane duhet të forcojnë jo vetëm buxhetet ushtarake, por edhe sistemin e tyre të vlerave, nëse synojnë përmirësimin e sigurisë globale. Vëzhgues të shumtë kanë theksuar se Rubio nuk foli për luftën në Ukrainë apo për planet konkrete për ndalimin e saj.

Ndërkohë, liderët evropianë kanë sinjalizuar përshpejtim të zhvillimit të teknologjive ushtarake dhe rritje të kapaciteteve mbrojtëse. Kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer janë zotuar për bashkëpunim në krijimin e një Evrope më të fuqishme, e cila do të jetë shtyllë e sigurisë brenda NATO.

Vendet evropiane kanë nisur bashkëpunimin për zhvillimin e sistemeve të reja të raketave, kapaciteteve për “goditje të thellë”, si dhe sistemeve të mbrojtjes kundër raketave dhe dronëve. Përveç forcimit të armatimit konvencional, tri fuqitë e mëdha evropiane kanë sinjalizuar edhe diskutime për një arkitekturë të përbashkët bërthamore, si garanci për sigurinë afatgjatë të kontinentit.

Në teori, këto zhvillime e vendosin Evropën në linjë me kërkesat e administratës së presidentit Donald Trump, i cili prej vitesh kërkon që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj. Megjithatë, për shumë analistë, këto lëvizje janë edhe sinjal se disa vende evropiane po përgatiten për një rend të ri, ku siguria e tyre nuk do të garantohet në të njëjtën masë nga SHBA-ja./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale