KE prezanton udhërrëfyesin e ri për mbrojtjen, drejt vetë-mjaftueshmërisë

Foto: AP

20:12 | 16 Tetor 2025
Q L

Komisioni Evropian ka prezantuar një udhërrëfyes të ri për mbrojtjen, me synim që blloku të rrisë prodhimin evropian të sistemeve të armëve dhe të sigurojë vetë-mjaftueshmërinë e tij në fushën e mbrojtjes. Megjithatë, NATO do të mbajë kontrollin operativ në rast krize.

Dokumenti 16-faqësh vendos afate dhe objektiva të qarta për katër projektet kryesore pan-evropiane, përfshirë Nismën e Mbrojtjes me Dronë, European Air Shield dhe European Space Shield. “Muri i dronëve” pritet të jetë funksional deri në fund të vitit 2027.

Komisioneri për Mbrojtje, Andrius Kubilius, tha se udhërrëfyesi synon krijimin e vetë-mjaftueshmërisë evropiane në mbrojtje. “Vetë-mjaftueshmëria do të thotë aftësi për të prodhuar, modernizuar dhe financuar industrinë evropiane të mbrojtjes. Ajo do të thotë pavarësi,” shtoi ai.

Sipas një raporti të ish-kryeministrit italian Mario Draghi, rreth 80% e pajisjeve ushtarake që blejnë shtetet e BE-së vijnë nga jashtë bllokut, kryesisht nga SHBA-ja, raporton Euro News.

Qëllimi i udhërrëfyesit është të nxisë blerjet e përbashkëta për të ulur kostot, përshpejtuar furnizimet dhe për të mbyllur boshllëqet e kapaciteteve, duke inkurajuar preferencën për produkte evropiane. Por, zyrtarët e BE-së theksuan se strukturat operacionale mbeten përgjegjësi e NATO-s.

Disa shtete anëtare kanë shprehur shqetësime për rishikimet vjetore të blerjeve ushtarake, duke argumentuar se kjo mund të krijojë barrë administrative. Megjithatë, ka shenja pozitive: vendet e BE-së po bashkëpunojnë tashmë në grupe aftësish për të koordinuar blerjet në fusha si dronët, raketat, artileria dhe mbrojtja ajrore.

Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë objektivat e Komisionit në samitin e 23 tetorit, ku mbrojtja do të jetë në fokus, me theks të veçantë te projektet kundër dronëve dhe zhvillimi i kapaciteteve hapësinore.

Komisioneri Kubilius pranoi se BE-ja ka reaguar ngadalë ndaj kërcënimeve të së ardhmes, duke marrë si shembull përdorimin masiv të dronëve në Ukrainë gjatë vitit 2023./rtk