Izraeli bëri thirrje për mbylljen e agjencisë së OKB-së të ndihmave për palestinezët (UNRWA), pasi paraqiti prova se të paktën 12 punonjës të kësaj agjencie morën pjesë në masakrën e 7 tetorit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, disa nga vendet që janë donatorët më të mëdhenj të kësaj agjencie kanë ndalur tashmë dhënien e fondeve. Palestinezët thonë se UNRWA luan një rol jetik në shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gazë.
Kongresi amerikan po mban seanca dëgjimore këtë javë për çështjen nëse Shtetet e Bashkuara duhet të heqin dorë nga financimi i UNRWA-së, agjencisë së OKB-së të cilës i është caktuar detyra të mbështesë 1.5 milionë palestinezët e klasifikuar si refugjatë në Gazë.
Disa nga vendet kryesore donatore, ndër to edhe Shtetet e Bashkuara, kanë pezulluar fondet për UNRWA-n pasi Izraeli zbuloi se punonjës të UNRWA-s morën pjesë aktive në masakrën e 7 tetorit në Izrael, ku u vranë rreth 1200 persona.
Izraeli ka paraqitur evidencë për veprimet e të paktën 12 punonjësve të UNRWA-s, përfshirë rrëmbimin e një gruaje izraelite dhe pjesëmarrjen në masakrat në një nga vendbanimet. Krahas kësaj, rreth 10% e punonjësve të UNRWA-s në Gazë kanë lidhje me grupe militante islamiste dhe 50% e tyre kanë të afërm në këto grupe, sipas të dhënave të organizatës mbikëqyrëse “UN Watch”, e cila ia ka paraqitur evidencën komisioneve të Kongresit amerikan.
“Publikuam një raport të ri të titulluar ‘Terrorgrama e UNRWA-s’, ku nxjerrim edhe komunikimet e një grupi prej 3 mijë mësuesish të UNRWA-s në Gazë. Grupi bashkëbisedues ishte krijuar për të shkëmbyer informacion mes mësuesve të UNRWA-s. Por mes gati 249 mijë mesazheve që i morëm përpara se t’i fshinin, ata vazhdimisht përshëndesin terrorizmin e 7 tetorit dhe ngjarjeve më pas”, thotë Hillel Neuer, drejtor ekzekutiv i organizatës “UN Watch”.
UNRWA ka një personel prej 13 mijë personash në Gazë, shumica mësues në shkollat e UNRWA-s. Në përgjigje të akuzave izraelite, agjencia tha se ka shkarkuar nëntë persona dhe se do të vazhdojë hetimet.
Por, disa analistë izraelitë thonë se problemi me UNRWA-n shtrihet përtej krizës së tanishme. Ata thonë se kjo agjenci ka zgjatur statusin e palestinezëve si refugjatë, për arsye politike, në vend që t’i rehabilitojë ata, siç është vepruar me refugjatët e konflikteve të tjera.
“UNRWA filloi si një agjenci e përkohshme me synime të mira, për të rehabilituar refugjatët arabë nga lufta në vitet ’47-’49. Dhjetëra miliona refugjatë u rehabilituan në atë kohë, nga luftërat e periudhës pas-perandorake. Asnjë prej tyre dhe as qindra miliona pasardhësit e tyre nuk quhen refugjatë sot. Ata vazhduan me krijimin e një jete të re. Me përjashtim të palestinezëve”, thotë Einat Wilf, ish-deputete në parlamentin izraelit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se evidenca izraelite ndaj UNRWA-s është “shumë bindëse”, por ai tha gjithashtu se UNRWA luan një rol kyç në shpërndarjen e ndihmave në Gazë. Zyrtarët palestinezë thonë se ndërprerja e fondeve për UNRWA-n do të ishte një ndëshkim kolektiv dhe do ta përkeqësonte më tej situatën e vështirë humanitare në Gazë.
“Ky hap i ndërmarrë gjatë luftës në Gazë dërgon një mesazh të gabuar. Po bëhet një luftë kundër popullit palestinez. Ky vendim është i gabuar dhe duhet të ndalet menjëherë. U bëjmë thirrje të gjitha vendeve të rikthejnë fondet për UNRWA-n, pasi është çështje humanitare”, tha Nabil Abu Rudeineh, zëdhënës i Autoritetit Palestinez.
Palestinezët thonë se nëse UNRWA nuk vazhdon të funksionojë në Gazë, mbi një milionë persona që strehohen në shkollat e UNRWA-s do të përjetojnë një krizë edhe më të madhe humanitare./voa
Detaje të reja nga vrasja e trefishtë në Mal të Zi, policia ...
Reagon Albulena Haxhiu: Burgimi i përjetshëm, përgjigje e fo...
Sipas Sky Sport, Slot pritet të vazhdojë edhe për një sezon ...
Trumpi thotë se nuk dëshiron ta zgjasë armëpushimin me Irani...
Ambasadori amerikan në NATO mbërrin në Kosovë, Ambasada jep ...
Rama: Siguria ushqimore, sfida më komplekse e procesit të in...