Trupat ushtarake izraelite kanë hyrë për pak në mesnatën e së enjtes në Gazë, për t’u përgatitur për fushëbetejë, ka thënë ushtria e Izraelit, dy javë pasi i ka shpallur luftë grupit militant palestinez Hamas.
Më 7 tetor, militantët e Hamasit kanë kryer sulme në tokën izraelite duke i lënë mbi 1.200 njerëz të vrarë. Hamasi besohet se i ka marrë nga Izraeli edhe mbi 200 pengje.
Bastisjet ushtarake të Izraelit në Gazë janë kryer teksa Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se rrezikojnë të mbesin pa naftë në këtë territor.
Gaza është nën rrethim të ashpër – ka mbetur pa ushqim, ujë dhe ilaçe – prej kur Hamasi i ka nisur sulmet në Izrael.
Rritja e numrit të viktimave në Gazë është e pashembullt në konfliktin që vazhdon me dekada mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se mbi 7.000 palestinezë janë vrarë në konflikt, ndonëse kjo shifër nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Ushtria izraelite ka thënë se po i sulmon vetëm shënjestrat e militantëve dhe e ka akuzuar Hamasin se po vepron në mesin e civilëve, në Gazën me popullsi të dendur.
Konflikti është duke kërcënuar me përhapje të luftës në rajon.
Hezbollahu, aleat i Hamasit në Liban, por që përkrahet nga Irani, ka shkëmbyer disa herë zjarr me Izraelin në zonën kufitare.
Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë kapacitetin e Hamasit për të qeverisur në Gazë, apo për ta kërcënuar Izraelin në të ardhmen, por ka thënë se nuk synon që ta pushtojë sërish Gazën, prej së cilës i ka tërhequr trupat më 2005.
Benny Gantz, gjeneral i pensionuar dhe anëtar i Kabinetit të luftës në Izrael, ka thënë se ofensiva tokësore do të jetë vetëm një fazë në procesin e gjatë, që përfshin aspektet sigurie, politike dhe sociale, që do të zgjasë me vite”./rel
Zelensky: Ukraina është gati për paqe, por jo Rusia
Kryediplomati Konjufca në Hagë për fjalët përfundimtare në r...
Media ndërkombëtare Al Jazeera raporton për marshin në Prish...
Sot fjalët përfundimtare të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Sel...
E mërkura me mot të vranët dhe mundësi bore në zonat malore
Përfundon dita e parë e bisedimeve për paqe midis Rusisë dhe...