Inflacioni në vendet që përdorin euron arriti një tjetër rekord, i ndikuar nga rritja e madhe e kostos së energjisë, pjesërisht edhe për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Inflacioni vjetor në 19 vendet e eurozonës arriti në 8.6% në muajin qershor, duke kaluar shifrën 8.1% të regjistruar një muaj më parë.
Të dhënat mbështetën në shifrat e fundit të publikuara të premten nga agjencia e statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat.
Inflacioni është në nivelin më të lartë nga fillimi i regjistrimit të të dhënave për euron në vitin 1997.
Çmimet e energjisë u rritën me 41.9% dhe çmimet e ushqimeve u rritën me 8.9%.
Në të dyja rastet, kjo shënon rritjen më të shpejt krahasuar me muajin paraprak.
Kërkesa për energji është rritur pasi ekonomia globale doli nga izolimi i plotë i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, por gjërat u përkeqësuan edhe nga pushtimi rus i Ukrainës.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord të ndalojnë shumicën e importeve të naftës ruse deri në fund të vitit, duke shkaktuar rritjen e çmimeve.
Blloku i përbërë prej 27 vendeve evropiane synon të ndëshkojë Moskën dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga energjia ruse, por kjo gjithashtu po mbingarkon njerëzit dhe bizneset, ndërsa faturat e shërbimeve dhe çmimet te pompat e benzinës, po rriten.
Rusia, muajin e kaluar, pakësoi furnizimet e gazit natyror që përdoret për industrinë dhe prodhimin e energjisë elektrike drejt disa vendeve të BE-së si Gjermania, Italia dhe Austria, krahas ndërprerjes së plotë të gazit për Francën, Poloninë, Bullgarinë dhe të tjerët.
“Embargoja e naftës dhe ulja e furnizimit me gaz, që u njoftuan gjatë muajit qershor janë arsyeja kryesore që çmimet e energjisë u rritën”, shkroi në një koment ekonomisti me përvojë për eurozonën tek Banka ING, Bert Colijn.
Rritja e çmimeve të konsumit është një problem në mbarë botën, duke përfshirë edhe SHBA-në dhe Britaninë e Madhe që po përjetojnë inflacionin më të larta të 40 viteve të fundit, përkatësisht 8.6% dhe 9.1%.
Kjo ka bërë që Rezerva Federale, siç njihet Banka Qëndrore e SHBA-së, Banka e Anglisë dhe banka të tjera qendrore në mbarë botën, të miratojnë një sërë rritjesh të normave të interesit për të luftuar inflacionin.
Zoti Colijn tha se të dhënat e fundit për inflacionin në eurozonë shtojnë presionin mbi Bankën Qendrore Evropiane për të vepruar shpejt.
Banka Qëndrore Evropiane po planifikon që këtë muaj të rrisë normën e interesit për herë të parë pas 11 vjetësh, ndërsa rritja tjetër pritet të bëhet në muajin shtator.
Presidentja e Bankës Qëndrore Evropiane, Christine Lagarde tha këtë javë se ajo dëshiron të bëjë lëvizje graduale për të trajtuar rritjen e çmimeve të konsumit, për të shmangur pengesat e rimëkëmbjes ekonomike.
Megjithatë, ajo po e lë të hapur derën për rritje më të mëdha të normave të interesit, në rast se inflacioni rritet më shumë se sa pritej.
Por bankat qendrore rrezikojnë të shkaktojnë recesion pasi e bëjnë huamarrjen më të shtrenjtë.
Inflacioni në zonën e Euros ka vendosur rekorde mujore që nga viti i kaluar, duke nxjerrë në pah ndikimin që lufta ka patur tek furnizimet globale të energjisë, që ka sjellë si pasojë shtrenjtimin e jetës për 343 milionë njerëz.
Rritjet e çmimeve për mallra si veshjet, pajisjet elektroshtëpiake, makinat, kompjuterët dhe librat mbetën mjaft të qëndrueshme në 4.3%, ashtu si ndodhi edhe me çmimet për shërbimet në 3.4%.
Të dhënat e BE-së treguan gjithashtu se vendet fqinje me Rusinë që janë përpjekur të heqin dorë nga gazi i lirë rus po mbajnë peshën kryesore të çmimeve në rritje. Inflacioni vjetor arriti në 22% për Estoninë, 20.5% për Lituaninë dhe 19% për Letoninë.
Polonia, e cila nuk përdor euron, por është anëtare e BE-së, raportoi të premten se inflacioni u rrit në 15.6% në qershor, krahasuar me një vit më parë, norma më e lartë në një çerek shekulli.
Analistët vunë në dukje se rritja më e madhe në Poloni ishte në çmimet e benzinës dhe naftës, të cilat u rritën me 46.7% krahasuar me një vit më parë. Çmimet e ushqimeve u rritën me 14.1%.VOA
Pacolli: Drejtësia vjen edhe kur rruga duket e gjatë dhe e e...
Kreshnik Ahmeti emërohet zëvendësministër i Punëve të Jashtm...
Sekuestrohet kokainë në një lokal në Kukës, arrestohet prona...
Milani merr vendim rreth të ardhmes së Luka Modricit
Sekuestrohen mbi 25 kg ari në Pejë, evidentohen shkelje të s...
Maqedonci diskuton bashkëpunimin ushtarak me Kroacinë dhe Sh...