Guterres: Lufta në Sudan po ‘del jashtë kontrollit’

21:47 | 4 Nëntor 2025
R J

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi të martën se lufta në Sudan po “del jashtë kontrollit”, pasi një forcë paramilitare mori nën kontroll qytetin e rrethuar dhe të vuajtur nga uria, El-Fasher, në Darfur.

 

Duke folur në Katar, Antonio Guterres bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin dyvjeçar që është shndërruar në një nga krizat më të rënda humanitare në botë.

“Qindra mijëra civilë janë të bllokuar nga ky rrethim,” tha Guterres. “Njerëzit po vdesin nga kequshqyerja, sëmundjet dhe dhuna.” Ai theksoi se ka “raporte të besueshme për ekzekutime masive që nga hyrja e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në qytet”, raporton AP.

Sipas raportimeve, RSF ka vrarë më shumë se 450 persona në një spital dhe ka kryer vrasje të civilëve sipas përkatësisë etnike, si dhe sulme seksuale gjatë marrjes së kontrollit të qytetit javën e kaluar. Forcat kishin rrethuar El-Fasher për 18 muaj, duke ndërprerë furnizimet me ushqim dhe ndihma të tjera për dhjetëra mijëra njerëz.

RSF mohon të ketë kryer mizori, por dëshmitë e të ikurve, videot online dhe imazhet satelitore tregojnë një pamje apokaliptike të sulmit. Shtrirja e dhunës mbetet e paqartë për shkak të mungesës së komunikimit në rajon.

Thirrje për ndalimin e furnizimit me armë për Sudanin

Lufta midis RSF-së dhe ushtrisë sudaneze filloi në prill 2023. Sipas shifrave të OKB-së, janë vrarë mbi 40 mijë njerëz, por organizatat humanitare thonë se numri real mund të jetë shumë më i lartë.

Luftimet kanë detyruar mbi 14 milionë persona të braktisin shtëpitë e tyre dhe kanë nxitur shpërthime sëmundjesh. Dy rajone të Sudanit po përjetojnë uri ekstreme që rrezikon të përhapet edhe më tej.

I pyetur nëse do të duhej një ndërhyrje e paqeruajtësve ndërkombëtarë, Guterres tha se është e rëndësishme që “të mobilizohet e gjithë bashkësia ndërkombëtare dhe të gjithë ata që kanë ndikim mbi Sudanin për t’i dhënë fund luftimeve.”

Ai shtoi se është thelbësore të sigurohet që “asnjë armë tjetër të mos hyjë në Sudan”, duke theksuar: “Duhet të krijojmë mekanizma llogaridhënieje, sepse krimet që po kryhen janë tejet të tmerrshme.”

Të hënën, shtatë persona, përfshirë fëmijë, u vranë në një sulm me dron të RSF-së ndaj një spitali pediatrik në Kernoi të Darfurit Verior, sipas Rrjetit të Mjekëve të Sudanit, një organizatë mjekësore që ndjek konfliktin. Pesë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, u plagosën rëndë.