Plot 994 incidente antisemitike u raportuan në Gjermani në muajin e parë të luftës midis Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ky numër shënon 29 raste në ditë, 320% më shumë incidente krahasuar me mesataren ditore në vitin 2022, raportoi Shoqata Federale e Departamenteve për Kërkime dhe Informacion mbi Antisemitizmin (Rias), në Berlin, të martën.
Vlerësimi mbulon periudhën nga 7 tetori deri më 9 nëntor 2023.
Shumë hebrenj përjetuan incidente antisemitike në përditshmërinë e tyre dhe ndien pasiguri, tha Rias.
Në 59 raste, incidentet kanë ndodhur në zonat e banimit. Në Giessen dy burra u futën me forcë në banesën e një izraeliti për të hequr një flamur izraelit të varur në dritare.
Antisemitizmi dhe propaganda anti-izraelite janë gjithashtu në rritje në universitete ku u raportuan 37 incidente.
Sipas studentëve hebrenj, ata u fajësuan nga studentët e tjerë për veprimet e Izraelit. Madje, disa kanë ndaluar së shkuari në universitet.
Shifrat janë alarmante, por jo befasuese, tha Hanna Veiler, presidente e Unionit Studentor Hebre në Gjermani.
“Hebrenjtë e rinj kanë raportuar në vazhdimësi që nga 7 tetori se sa është rritur antisemitizmi që ata perceptojnë në jetën e tyre të përditshme, veçanërisht në kontekstin universitar”, tha ajo.
Qendrat e raportimit Rias regjistruan 177 tubime antisemitike në mbarë vendin.
“Sukseset propagandistike të Hamasit kanë një ndikim më të madh në numrin dhe rrjedhën e demonstratave në Gjermani sesa veprimet të vetë ushtrisë izraelite”, tha drejtori menaxhues i Rias, Benjamin Steinitz./rel
Çmimi i arit thyen rekord historik, kapërcen për herë të par...
Hamza takon Malajn, flasin për forcimin e lidhjeve kombëtare...
Edi Rama takohet me homologun izraelit, Benjamin Netanyahu
Rreth 90 të lënduar kur rrufeja ra pranë një tubimi në mbësh...
KQZ ka shkatërruar materialet zgjedhore të zgjedhjeve lokale...
Zgjerim hetimesh për zgjedhjet e 12 tetorit kërkojnë 33 ish-...