Gjashtë të vdekur dhe qindra fluturime të anuluara, bora shkakton kaos në Evropë

23:00 | 6 Janar 2026
E.H

Reshjet e dendura të borës dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar probleme të mëdha në transport në Evropë. Gjashtë persona raportohet se kanë vdekur në incidente, që lidhen me motin e keq. Autoritetet franceze thanë se pesë persona humbën jetën në dy rajone të ndryshme të Francës si pasojë e aksidenteve rrugore, ndërsa një grua u vra gjithashtu në kryeqytetin e Bosnjës, Sarajevë, pasi mbi 40 cm borë mbuloi qytetin.

Qindra fluturime janë anuluar në të gjithë Europën, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroportet e Parisit dhe Amsterdamit. Anulimet pritet të vazhdojnë deri të mërkurën.

Në Francë, tre persona humbën jetën në dy incidente të veçanta në Landes, në jug-perëndim, si pasojë e rrugëve të mbushura me akull. Dy persona të tjerë vdiqën në aksidente në zonën e Parisit. Një nga aksidentet u shkaktua nga përplasja mes një automjeti dhe një kamioni të rëndë në lindje të Parisit, ndërsa një tjetër humbi jetën, pasi një taksi goditi trotuarin, për shkak të borës, dhe përfundoi në lumin Marne.

Ballkani gjithashtu është përballur me reshje bore dhe shira të dendura. Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, tha se priten reshje bore të tjera në vend gjatë mbrëmjes së sotme dhe të mërkurën, teksa iu bëri thirrje njerëzve të udhëtojnë sa më pak të jetë e mundur dhe të punojnë nga shtëpia.

Shërbimi meteorologjik kombëtar i Francës njoftoi se 38 departamente do të jenë në alarm portokalli për borë dhe akull të mërkurën. Shumë shërbime trenash janë anuluar në pjesë të ndryshme të vendit.

Në kryeqytetin francez, autoritetet thanë se aeroporti Roissy Charles de Gaulle do të ketë 40% të fluturimeve të anuluara për disa orë të mërkurën në mëngjes, për t’i lejuar stafit të pastrojë pistat nga bora. Aeroporti Orly planifikoi të anulojë një të katërtën e fluturimeve gjatë të njëjtës periudhë.

Mbi 400 fluturime janë anuluar në aeroportin Schiphol të Amsterdamit të mërkurën, duke shkaktuar kaos të madh në planet e udhëtimit. Qindra pasagjerë mbetën të bllokuar, shumë prej tyre pa mundësi të hipnin në fluturimet e tyre. Udhëtarët formuan radhë të gjata tek sportelet e kompanive ajrore për të marrë informacion mbi rifillimin e fluturimeve. Shumica e fluturimeve të anuluara bëheshin nga kompania holandeze KLM.

Në aeroportin Schiphol, shumë udhëtarë u ankuan për radhë të gjata dhe mungesë informacioni. Pasagjeri spanjoll, Javier Sepulveda, i cili po përpiqej të fluturonte nga Amsterdam drejt Norvegjisë, tha për agjencinë Reuters se situata në aeroport ishte kaotike, e papranueshme, frustruese e irrituese dhe krejt e papranueshme. Ai shtoi se kishte nisur të qëndronte në radhë tek sporteli i KLM në orën 06:30 të martën dhe pas gjashtë orësh ende ishte larg të qenit në fillim të radhës.

Udhëtimet me tren gjithashtu u ndërprenë. Të martën në mëngjes, të gjitha shërbimet e trenave në Holandë ndaluan për një periudhë të shkurtër, për shkak të një problemi në IT. Disa trena nisën të funksionojnë pas orës 09:00 lokale, por problemet vazhduan gjatë ditës. Shërbimet Eurostar drejt Parisit nga Amsterdami ishin ose të anuluara ose me vonesë.

Shpërndaje në rrjete sociale