Shërbimi postar i Danimarkës do të dorëzojë letrën e tij të fundit më 30 dhjetor, duke i dhënë fund një tradite mbi 400-vjeçare.
Vendimi u njoftua më herët këtë vit nga PostNord, kompania e krijuar në vitin 2009 nga bashkimi i shërbimeve postare suedeze dhe daneze.
PostNord bëri të ditur se do të shkurtojë rreth 1.500 vende pune në Danimarkë dhe do të heqë 1.500 kuti postare të kuqe, duke e justifikuar këtë hap me “digjitalizimin në rritje” të shoqërisë daneze. Sipas kompanisë, kërkesa për letra ka rënë ndjeshëm, ndërsa blerjet online janë rritur, çka e ka shtyrë fokusin drejt dërgesave të pakove.
Danimarka përshkruhet si “një nga vendet më të digjitalizuara në botë”, ku dërgimi i letrave ka rënë me më shumë se 90% në 25 vitet e fundit. Ndërkohë, shitja e kutive postare të çmontuara ka zgjuar interes të madh: 1.000 prej tyre u blenë brenda vetëm tre orësh, me çmime nga 1.500 deri në 2.000 korona daneze. Një tjetër seri prej 200 kutish do të dalë në ankand në janar. PostNord ka njoftuar gjithashtu se do të rimbursojë pullat daneze të papërdorura për një periudhë të kufizuar.
Megjithatë, dërgimi i letrave nuk do të zhduket plotësisht. Kompania Dao do të zgjerojë shërbimet e saj nga 1 janari, duke rritur volumin e letrave të dorëzuara nga rreth 30 milionë në 80 milionë në vit. Klientët do të duhet t’i dorëzojnë letrat në pikat Dao ose të paguajnë shtesë për mbledhje në shtëpi, ndërsa pagesa e postës do të bëhet online ose përmes aplikacionit.
Sipas ligjit danez, mundësia për të dërguar letra duhet të ekzistojë. Kjo do të thotë se, nëse Dao do të ndalonte shërbimin, qeveria do të ishte e detyruar të caktonte një operator tjetër. Autoritetet theksojnë se për qytetarët nuk do të ketë “asnjë ndryshim praktik”, por vetëm një ndryshim kompanie, me rëndësi më tepër “sentimentale”.
Ekspertët paralajmërojnë se varësia nga komunikimi digjital e bën të vështirë kthimin pas. Në Danimarkë, shumica e komunikimeve zyrtare realizohen përmes sistemit kombëtar të identitetit digjital MitID, ku 97% e popullsisë mbi 15 vjeç është e regjistruar dhe vetëm 5% kanë zgjedhur të marrin postë fizike.
Megjithatë, ka shenja se shkrimi i letrave po rikthehet te të rinjtë. Sipas studimeve, grupmosha 18–34 vjeç dërgon dy deri në tre herë më shumë letra se grupet e tjera, si një reagim ndaj “mbingopjes digjitale”. “Një letër fizike sot ka vlerë shumë të lartë, sepse tregon kohë dhe përkushtim,” thonë studiuesit.
Duke njoftuar vendimin, zëvendësdrejtori ekzekutiv i PostNord Danimarkë, Kim Pedersen, deklaroi se mbyllja e këtij kapitulli historik ishte e vështirë, por e pashmangshme: “Danezët janë bërë gjithnjë e më digjitalë dhe tregu i letrave nuk është më fitimprurës.”
Zhegrova reagon pas fitores së Juves ndaj Romës: Koha do ta ...
E rëndë: 20 vjeçari shqiptar qëllohet me armë nga policia it...
LVV sot mban tubim në Hajvali, merr pjesë Kurti
Kurti: Në mandatin e ardhshëm do të ndajmë të paktën 1 milia...
Sulm me armë zjarri në Afrikën e Jugut, të paktën dhjetë vik...
Zgjedhja e Endrit Shabani si Avokat i Popullit, Rama: E zgjo...