Familjarët mbushin gjykatën në Greqi për tragjedinë e rëndë hekurudhore

22:55 | 1 Prill 2026
Q L

Familjarët e 57 viktimave të tragjedisë më të rëndë hekurudhore në historinë e Greqisë u mblodhën këtë të mërkurë në një sallë gjyqi, duke kërkuar drejtësi për të afërmit e tyre.

Seanca gjyqësore ishte shtyrë më parë për shkak të nisjes kaotike javën e kaluar, ndërsa edhe këtë herë pati vështirësi të mëdha në organizim dhe pjesëmarrje, raportojnë mediat e huaja.

Kujtojmë që shumica e viktimave të aksidentit të ndodhur tre vite më parë ishin studentë, të cilët humbën jetën kur treni i udhëtarëve që udhëtonte nga Athina drejt Selanikut u përplas ballë për ballë me një tren mallrash në të njëjtën linjë, pranë zonës së Tempit, në qendër të vendit. Dyshohet se disa prej viktimave kanë humbur jetën nga djegiet, pasi i mbijetuan përplasjes fillestare.

Edhe pse shumë familjarë u paraqitën në gjykatë, një pjesë e tyre nuk arritën të futen në sallë, pasi policia lejoi vetëm personat e parashikuar ligjërisht për të marrë pjesë. Disa prej tyre u ankuan se vendet në sallë ishin zënë nga efektivë policie, ndërsa të tjerë theksuan se nuk kishin mundësi të ndiqnin qartë zhvillimin e procesit.

Avokatja mbrojtëse, Zoe Konstantopoulou, kërkoi që seancat të filmohen, duke argumentuar se familjarëve u është kufizuar e drejta për të ndjekur gjyqin.

Tragjedia e shkurtit 2023 njihet gjerësisht në Greqi si “krimi i Tempit”, pasi shumë qytetarë besojnë se ajo pasqyron neglizhencën dhe korrupsionin në institucionet shtetërore. Në këtë proces janë në gjykim 36 persona, ndërsa pritet që të dëshmojnë rreth 350 dëshmitarë. Gjyqi mund të zgjasë për vite me radhë./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale