Evropa po kthehet në qendrën globale të imazheve dhe videove të abuzimeve seksuale me fëmijët.
Ky është konkluzioni i një raporti të përvitshëm të Fondacionit për Mbikëqyrjen e Internetit (IWF), që thekson se rreth 60 për qind e materialeve të abuzimeve mbarëbotërore gjenden pikërisht në Evropë, me një rritje prej 19 për qind.
Holanda kryeson listën e kombeve evropiane si “arkivuesja” e përmbajtjeve ilegale, thotë më tej IWF.
Kjo vjen edhe si pasojë e përmirësimit të raportimeve dhe policimit nga ofruesit e shërbimit të internetit në Amerikën e Veriut.
“Situata është përmbysur krahasuar me vitet e kaluara”, thotë shefja ekzekutive e fondacionit në fjalë, Susie Hargreaves.
“Europa është tashmë mikpritësi më i madh i imazheve të abuzimit ndaj fëmijëve, duke lënë pas Amerikën e Veriut”.
IWF-ja është një organizatë britanike që ka si fushëveprim gjetjen dhe zhdukjen e materialeve abuzuese nga rrjetet britanike. Në vitin 2015, rreth 57 për qind e faqeve të internetit që përmbanin materiale abuzuese gjendeshin në Amerikën Veriore, sipas shifrave të IWF-së.
Në vitin 2016, kjo shifër u zvogëlua në 37 për qind, ndërsa tashmë shumica e tyre qarkullon në Evropë.
Raporti i IWF-së thotë se rreth 34.212 faqe interneti janë zbuluar të përmbajnë dhe të shfaqin materiale abuzuese në Evropë, duke përfshirë në kontinentin e vjetër edhe Rusinë e Turqinë.
Hargreaves thotë se kjo kthesë “mund të reflektojë punën e madhe që ka bërë industria amerikane për të luftuar këtë problem”, duke i detyruar kriminelët të gjejnë hapësira të tjera se ku mund t’i ngarkojnë dhe shpërndajnë këto materiale.
Ndryshimi është një “tregues i jashtëzakonshëm” i punës që është bërë nga ofruesit amerikanë të shërbimit të internetit në identifikimin, heqjen dhe raportimin e përmbajtjeve të paligjshme, – thotë John Shehan, zv.president i divizionit për shfrytëzimin e fëmijëve në Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar në SHBA (NCMEC).
Ligjet amerikane u kërkojnë ofruesve të shërbimit të internetit të informojnë autoritetet kur gjenden imazhe të ndaluara në rrjetet e tyre. Në vitin 2015, numri i raportimeve të marra ishte 4.4 milionë, ndërsa në vitin 2016 plot 8.2 milionë.
Ndërsa për vitin aktual, vetëm në këto 3 muaj e pak ditë janë marrë mbi dy milionë raportime. Ndërkohë, Arda Gerkens, deputete holandeze që ndihmon në mbikëqyrjen e linjave telefonike kundër abuzimit në Holandë, thotë se ka parë një rritje të konsiderueshme të raportimeve nga ofruesit e shërbimeve të internetit mbi materialet e ndaluara në 2015-n dhe 2016-n. Por, sipas saj, ende nuk ka pasur ndonjë ndryshim në politikën evropiane në 12 muajt e fundit që do të sillte edhe ndikim në këtë kthesë të raportit.
Paralajmërimi i ambasadës së SHBA-së, MIA: S’ka informacione...
“Do ngremë kompaninë publike për naftën”, Rama: Do të futemi...
48-vjeçari shqiptar dënohet me 25 vjet burg për trafikim dro...
Oferta të ndryshme për Lewandowskin, ndër to edhe Barça
Furnizoi me naftë avionët amerikanë, Irani paralajmëron Bull...
Familjarët mbushin gjykatën në Greqi për tragjedinë e rëndë ...